Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) feston 50-vjetorin e themelimit.
Me këtë rast, kreu i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, gjendet në Prishtinë, ku mori pjesë në ceremoninë e organizuar në nder të këtij përvjetori.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Gjinushi tha se, në periudhat më të vështira të historisë sonë kur hapësira e lirisë ngushtohej dhe të drejtat themelore mohoheshin, Akademia u shndërrua në një kala të rezistencës intelektuale.
“Këtu u mbrojt fjala shqipe, kultura, trashëgimia e historia e popullit shqiptar në Kosovë; këtu u ruajt vijueshmëria e mendimit shkencor; këtu u mbajt gjallë ideja se e vërteta dhe dija nuk mund të shtypen. Ky kontribut, i bërë pa bujë, është një nga faqet më të ndritshme të historisë së ASHAK-ut”, u shpreh akad. Gjinushi.
Kreu i ASHSH përmendi faktin se bashkëpunimi mes dy akademive ka ardhur duke u rritur, mbështetur tashmë në protokolle e projekte konkrete, marrëveshje dhe programe të përbashkëta, duke u bërë një shembull i shkëlqyer se si dy institucione të dijes dhe mendimit akademik brenda së njëjtës hapësirë kombëtare e kulturore mund të rrisin kapacitetet e tyre duke punuar së bashku.
Gjinushi veçoi projektin për hartimin e Enciklopedisë Shqiptare. Ky projekt është një prej nismave më të mëdha dhe më ambicioze të ndërmarra prej shkencave shqiptare.
“Fakti që dy akademitë tona po e zhvillojnë së bashku këtë detyrë të madhe, tregon jo vetëm pjekurinë e bashkëpunimit, por edhe ndërgjegjen e përbashkët për përgjegjësinë që kemi ndaj historisë, trashëgimisë e kulturës sonë kombëtare, të bazuara mbi të vërteta shkencore”, tha Gjinushi.



