Këtë fundjavë, Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ia kushton shfaqjes “I huaji: nga thellësia e zemrës sime”.
Premiera e shfaqjes erdhi mbrëmë me interpretimin e aktorëve Rafael Hoxhaj, Linda Jarani, Kleard Gërmenji dhe Ronaldo Kolgjokaj. Drama bazohet mbi “I huaji” nga Albert Camus, një kryevepër e letërsisë së shekullit XX.
Drama eksploron tema si absurdi, indiferenca dhe gjendja e njeriut përmes protagonistit Meursault. Shfaqja është përshtatur dhe dramatizuar nga regjisori i kësaj drame, Jonathan Bertolai.
Shfaqja fillon me përsiatjet mbi natën e fundit të një të dënuari me vdekje. Meursault rikthen momentet më të rëndësishme të ekzistencës së tij: dashuritë e tij të pajetuara, takimet, më pas vrasja, avokatët dhe gjyqi. Kjo është nata kur gjithçka zbulon kuptimin e vet, ose kur kuptimi humbet përgjithmonë.
Regjisori Bertolai sjell në skenë një univers poetik dhe metafizik, ndihmuar nga efektet e ndriçimit të Orlando Bolognesi-t, peizazhet zanore të Rafael Marinajt dhe kostumet nga Sofi Kara.
Shfaqja “I huaji: nga thellësia e zemrës sime” do të vijojë në Teatrin Eksperimental edhe për tre net të tjera (19, 20, 21 dhjetor). /atsh



