Galeria e Arteve e Shkodrës vijon të jetë një nga institucionet kryesore për ruajtjen dhe dokumentimin e artit pamor shqiptar, me një koleksion që numëron mbi 800 vepra arti nga periudha dhe rryma të ndryshme krijuese.
Koleksioni i galerisë përmban punime të artistëve nga Shkodra dhe rajone të tjera të vendit, si dhe vepra të autorëve të huaj, duke krijuar një panoramë të gjerë të zhvillimit të artit pamor ndër vite.
Sipas drejtorit të institucionit, Fatmir Juka, fondi i galerisë është ndërtuar dhe pasuruar në mënyrë të vazhdueshme, duke u ndarë në tri faza kryesore që pasqyrojnë periudhat e tranzicionit dhe zhvillimit të artit shqiptar pas viteve ’90. Ai bëri të ditur se gjatë vitit 2025 fondit i janë shtuar rreth nëntë vepra të reja, një pjesë e të cilave vijnë nga ekspozime të artistëve bashkëkohorë vendas dhe të huaj.
Galeria e Arteve e Shkodrës mban në arkivin e saj edhe vepra të autorëve të njohur të pikturës dhe skulpturës shqiptare, duke shërbyer si një pikë referimi për studiuesit, artistët dhe publikun.
Gjatë vitit që po mbyllet, institucioni ka zhvilluar një program të pasur aktivitetesh kulturore. Përveç ekspozitave tradicionale, si “Çmimi Idromeno” dhe “Salloni i Vjeshtës”, janë organizuar edhe ekspozita individuale, të cilat kanë sjellë në vëmendje krijimtarinë bashkëkohore dhe kanë nxitur dialogun artistik në qytet.



