Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave shfaqi sot në Tiranë në hapësirën e instalacionit “Tirana Moons”, ekspozitën dokumentare dhe fotografike “Personalitete të Kosovës në qeveritë e Shqipërisë 1920-1944”.
Kjo ekspozitë vjen në Tiranë pas prezantimit të saj në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Në këtë ekspozitë të çelur me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës kishte dokumente me diskutime, informacione, promemorie, vendime, propozime dhe telegrame të 7 prej veprimtarëve më të spikatur nga komuniteti i shqiptarëve të Kosovës në politikëbërjen e Shqipërisë së Paraçlirimit, sikurse ishin: Hasan Prishtina, Kadri Prishtina, Sali Vuçiterna, Rexhep Mitrovica, Rexhep Krasniqi, Ceno Kryeziu dhe Xhaferr Deva.
Kjo ekspozitë erdhi edhe falë angazhimit të vazhdueshëm mes DPA-së dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (AShAK), me qëllimin e përbashkët të njohjes së historisë kombëtare përmes trashëgimisë dokumentare, të ruajtur nga institucionet homologe.
Mes dokumenteve të ekspozuara, gjenden:
Diskutim i Hasan Prishtinës në Këshillin Kombëtar mbi masakrat e serbëve ndaj shqiptarëve;
Promemorie, drejtuar ministrive të Jashtme të shteteve të mëdha e Lidhjes së Kombeve, hartuar nga Hoxha Kadriu për çështjen e Kosovës e të territorit shqiptar;
Vendim i Këshillit të Ministrave mbi caktimin e Sali Vuçiternës Drejtor i Përgjithshëm i Reformës Agrare;
Propozim i ministrit të Arsimit Rexhep Mitrovica për projektligjin mbi themelimin e Lidhjes së Arsimtarëve të Shqipërisë;
Njoftim i Komitetit Ekzekutiv të Përkohshëm dërguar Dr. Rexhep Krasniqit për zgjedhjen i tij si përfaqësues i Prefekturës së Prizrenit për në Kuvendin Kombëtar 1943;
Informacion i Ministrisë së Jashtme mbi pranimin e kredencialeve nga ana e Mbretit të Jugosllavisë, të Ceno Kryeziut si Ministër Fuqiplotë në Beograd;
Telegram i ministrit të Brendshëm Xhaferr Deva, mbi grumbullimin e materialeve që kanë të bëjnë me demografinë e Kosovës. /atsh



