Me ardhjen e stinës së pranverës, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, sjell një program të pasur artistik për muajin mars, duke ftuar publikun të shijojë mbrëmje me opera, balet dhe traditë.
Programi i këtij muaji nisi me përfaqësimin e Shqipërisë në një nga panairet më të mëdha në botë për turizmin nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore dhe vijon me programet edukative për të rinjtë “Eja këndo me ne” më datat 5-6 mars.
Në skenën e teatrit do të vihet në skenë baleti “Lola” në datat 6-7-8 mars, si dhe turneu i operës “L’elisir d’amore” më datën 10 mars, duke sjellë një larmi ngjyrash dhe tingujsh që pasurojnë jetën kulturore.
Gjithashtu, TKOBAP njofton se publiku do të përjetojë koncerte që shpalosin shpirtin shqiptar dhe atë botëror, duke filluar nga recitalet vokal-instrumentale “Albanian Soul” dhe “Malinconia”, te koncerti simfonik me kryevepra të Prokofiev dhe Rachmaninov, si dhe koncerti premierë i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, “Me zanin e bjeshkëve”, raporton atsh.
Në këtë muaj që simbolizon rilindjen dhe bukurinë e natyrës, TKOBAP fton publikun të bëhet pjesë e një pranvere artistike, ku muzika, zëri dhe lëvizja çelin si lulet e para të sezonit.



