Shqipëria është një vend i pasur me bukuri natyrore, histori dhe tradita që po tërheqin çdo vit e më shumë turistë. Nga malet e thepisura në veri deri te brigjet e kristalta të jugut, çdo qytet ka një histori për të treguar dhe një përvojë unike për t’i ofruar vizitorëve.

Laura, një turiste dhe blogere e njohur e udhëtimeve, ka ndarë në rrjetet e saj sociale, pamje nga udhëtimi i saj në Shqipëri, ku ka treguar bukuri të natyrës dhe historisë së vendit.

Ajo ka ndarë foto nga udhëtimi i saj nëpër disa nga destinacionet më të njohura turistike në vend, si Thethi, Kruja, Tirana, Berati, Gjirokastra si dhe bregdeti i jugut, duke zbuluar për një audiencë më të gjerë, një Shqipëri të pasur me traditë dhe natyrë mahnitëse.

“Shqipëria nën lentën e Laura Burehl, turistes dhe blogeres së udhëtimeve me një audiencë të gjerë, që ka zgjedhur të ndajë me ndjekësit përvojën e vërtetë shqiptare ashtu siç është: autentike, plot shije dhe unike në llojin e saj”, shkruan ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja i cili ndau fotot në rrjetet sociale.

Vitet e fundit, Shqipëria është kthyer në një destinacion turistik shumë tërheqës për vizitorët nga e gjithë bota, të cilët zbulojnë bukuritë natyrore, plazhet e mrekullueshme dhe trashëgiminë e pasur kulturore.




