Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar zyrtarisht se ka nisur hetimet lidhur me parregullsitë e dyshuara në njehsorët elektrikë të KEDS-it, pas dyshimeve se këto pajisje nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë së shpenzuar.
Sipas organit të akuzës, provat e deritanishme krijojnë dyshimin e bazuar se në këtë rast është kryer vepra penale „Mashtrimi“, e paraparë me nenin 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se tashmë ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore. Qëllimi i këtij operacioni është sigurimi dhe grumbullimi i provave shtesë, duke përfshirë edhe marrjen në pyetje apo veprime të tjera ligjore ndaj zyrtarëve përgjegjës të kompanisë KEDS.
„Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave ligjore, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik“, thuhet në njoftimin e tyre zyrtar.
Ky hap i Prokurorisë vjen pas shqetësimeve të shumta të qytetarëve dhe denoncimeve publike për faturime të fryera, të cilat dyshohet se kanë ardhur si pasojë e moskalibrimit të saktë të kohës tarifore në njehsorët e rrymës.



