Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, është nderuar me çmimin prestigjioz “Female Icon Award 2026” në kuadër të “Electronic Dance Music Awards” (EDMA). Ky vlerësim vjen si njohje për ndikimin e saj të jashtëzakonshëm në muzikën dance dhe karrierën e saj të suksesshme ndër vite.
Artistja e ka ndarë momentin e marrjes së trofeut me ndjekësit në rrjetet sociale, duke publikuar një video nga ceremonia ku shfaqet mjaft e emocionuar.
“Wow, faleminderit EDMA. Kjo është e pabesueshme. ‘Female Icon Award 2026’. Dua të falënderoj shumë fansat e mi që më kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi të çmendur. Faleminderit gjithashtu komunitetit të muzikës dance që më ka pranuar. Kjo rrymë ka qenë gjithmonë një pjesë e madhe e jetës sime; ka qenë arratisja dhe terapia ime – dhe vazhdon të jetë edhe sot”, është shprehur Rexha.
Promovimi i projektit të ri “New Religion” Gjatë fjalimit të saj, Bebe Rexha theksoi ndjesinë e veçantë që fal muzika dance kur dëgjohet në festivale apo klube, ndërsa ftoi fansat të dëgjojnë bashkëpunimin e saj më të fundit.
“Nuk ka asgjë si ta dëgjosh këngën tënde në një festival, në klub apo në makinë. Kur bëhet fjalë për muzikën dance, ndjesia është krejt ndryshe. Faleminderit edhe një herë. Dhe sigurohuni të dëgjoni këngën time të re ‘New Religion’, me grupin e mrekullueshëm Faithless. Është publikuar tashmë. Cheers”!, përfundoi artistja.
Viti 2026 po rezulton të jetë mjaft i frytshëm për këngëtaren, e cila vazhdon të mbajë lart flamurin shqiptar në skenat më të rëndësishme të muzikës botërore.



