Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 27-vjetorin e fillimit të Betejës së Koshares, një prej përballjeve më të rëndësishme dhe strategjike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave pushtuese serbe.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka nderuar luftëtarët e rënë dhe pjesëmarrësit e kësaj beteje, duke e vlerësuar atë si përpjekjen vendimtare për shembjen e kufirit që ndante shqiptarët dhe për çlirimin përfundimtar të vendit.
“Më 9 prill 1999, në mëngjes herët, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mësyen mbi pozicionet ushtarake të Serbisë në brezin kufitar mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë, duke sulmuar bazën ‘7 Korriku’, Rrasën e Koshares dhe majën Gllava. Nga ajo ditë, deri më 10 qershor, për dy muaj të plotë rresht, mijëra pjesëtarë të UÇK-së do të përfshiheshin në luftimet e Betejës së Koshares, në një territor të shtrirë prej disa kilometrash dhe në një reliev të thyer malor e kodrinor”, shkroi Kryeministri.
Aleanca me NATO-n kundër gjenocidit Kurti theksoi se fillimi i luftimeve në Koshare përkoi me fushatën ajrore të NATO-s, duke e shndërruar UÇK-në në një partnere kyçe të Aleancës Veriatlantike në terren.
„Beteja e Koshares nisi dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi dhe vazhdoi deri në ditën e fundit të kësaj fushate. Gjatë atyre ditëve, një ushtri çlirimtare dhe gjithëkombëtare vullnetarësh, siç ishte UÇK-ja, u kthye në aleate të aleancës më të madhe ushtarake të botës, NATO-s. Së bashku ndaluan fushatat e spastrimit etnik dhe të gjenocidit që Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit po kryente ndaj shqiptarëve të Kosovës“, thuhet më tej në postim.
Sakrifica e 114 dëshmorëve Kreu i ekzekutivit kujtoi gjithashtu çmimin e lartë të lirisë, duke përmendur se në këtë betejë ranë 114 dëshmorë dhe u plagosën mbi 400 të tjerë. Ai vuri në dukje se humbjet në anën serbe ishin të mëdha, ndonëse asnjëherë nuk u publikuan plotësisht nga Beogradi.
„Pala serbe asnjëherë nuk do t’i publikonte të plota të dhënat e humbjeve të turpshme prej kësaj beteje, por mbi 100 pjesëtarë të ushtrisë jugosllave mbetën të vrarë, ndërsa shumëfishi i tyre u plagosën. Çdo pranverë, i kujtojmë me mirënjohje të gjithë luftëtarët e UÇK-së që morën pjesë me guxim në Betejën e Koshares. Lavdi dëshmorëve, sot e përmot!“, përfundoi Kurti.



