Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar në shënimin e Ditës së Kushtetutës, duke ngritur shqetësime serioze për ato që i quajti shkelje të shpeshta të Aktit më të Lartë Juridik gjatë viteve të fundit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj u shpreh se Kushtetuta e Kosovës përfaqëson idealet e luftës për liri dhe shtetësi, duke shërbyer si gardiani kryesor i të drejtave të qytetarëve dhe barazisë para ligjit. Megjithatë, ai lëshoi kritika të ashpra ndaj qeverisjes aktuale, duke pretenduar se në pesë vitet e fundit janë regjistruar veprime që anashkalojnë parimet kushtetuese.
“Sot, Republika e Kosovës shënon Ditën e Kushtetutës, dokumentin themelor që mishëron idealet e luftës çlirimtare për liri dhe shtetësi. Kjo Kushtetutë moderne është gardiani që mbron arritjen më të madhe të shqiptarëve, shtetin e pavarur të Kosovës, duke garantuar të drejtat e njeriut, barazinë para ligjit dhe mbrojtjen e qytetarëve pa dallim”, ka shkruar Haradinaj.
Thirrja për ndalimin e praktikave antikushtetuese Ish-kryeministri theksoi se praktika e anashkalimit të qëllimshëm të parimeve të dokumentit themelor duhet të ndalet urgjentisht, në mënyrë që të mbrohet stabiliteti dhe rendi demokratik i vendit.
“Injorimi i parimeve kushtetuese përmes vendimeve dhe veprimeve antikushtetuese është një praktikë që duhet të marrë fund menjëherë. Në pesë vitet e fundit kemi parë shkelje të panumërta të këtij dokumenti”, nënvizoi kreu i AAK-së.
Kujtojmë se opozita ka dërguar disa herë ligje dhe vendime në Gjykatën Kushtetuese, shumë prej të cilave janë cilësuar si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.



