OVL e UÇK-së, në Has, kanë larguar një pllakë të vendosur në fshatin Goden, e cila, siç kanë thënë ata, është vendosur nga Azem Syla, pa konsultim me OVL-në, dhe pa respektuar procedurat përkatëse.
Në reagim thuhet, OVL UÇK – Has ka punuar dhe po punon për verifikimin më të sinqertë të të gjitha shtëpive që ishin shndërruar në baza të UÇK-së gjatë viteve 1997–1999, që të nderohen ashtu siç e meritojnë, brenda ligjit, dhe të gjitha të certifikuara nga Qendra e Memorialeve të Kosovës dhe Qeveria e Kosovës.
Postimi i plotë:
Të nderuar hasjanë,
Sot, OVL UÇK – dega në Has ka larguar pllakën e vendosur nga Azem Syla në shtëpinë e Ali dhe Nazife Osmanaj, saktësisht në shtëpinë e Dëshmorit të Kombit, të shpallur Hero, Mehmet Osmanaj. Kjo pllakë ishte vendosur pa konsultim me OVL UÇK – degën në Has dhe pa respektuar procedurat përkatëse.
Theksojmë se kjo shtëpi nuk i ka shërbyer asnjë individi, por Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke qenë në funksion të luftës për liri dhe sakrificës së përbashkët.
Është ardhur koha t’u themi të gjithëve atyre që, kur u rrezikohet pushteti apo mbesin pa pushtet, fillojnë të rikthehen nën petkun e UÇK-së duke keqpërdorur familjet hasjane. Kësaj dukurie i ka ardhur fundi në Has.
OVL UÇK – Has ka punuar dhe po punon për verifikimin më të sinqertë të të gjitha shtëpive që ishin shndërruar në baza të UÇK-së gjatë viteve 1997–1999, që të nderohen ashtu siç e meritojnë, brenda ligjit, dhe të gjitha të certifikuara nga Qendra e Memorialeve të Kosovës dhe Qeveria e Kosovës.
Një e tillë është edhe shtëpia e Heroit Mehmet Osmanaj nga fshati Goden — simbol i sakrificës dhe i qëndresës për liri.
Ky është një obligim moral dhe kombëtar, që historia të ruhet e pastër dhe të përcillet me dinjitet te brezat që vijnë.



