Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, foli për proceset politike në vend, përfshirë agjendën evropiane, takimin Kurti – Abdixhiku dhe zhvillimet rreth zgjedhjes së presidentit, duke theksuar nevojën për përfshirje të të gjithë akterëve dhe duke akuzuar opozitën për bllokadë të proceseve institucionale.
Ai theksoi se agjenda evropiane, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet e pandryshueshme dhe kërkon kontributin dhe pjesëmarrjen prej secilit prej akterëve të shoqërisë dhe jo vetëm të qeverisë.
Duke folur për takimin e kryeministrit Albin Kurti me kreun e LDK-së në kuadër të përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit, Zulfaj tha se “tashmë kryeministri Kurti ka dhënë një konferencë sot, në të cilën ka shpalos ofertën të cilën ia ka bërë në këtë rast LDK-së”, duke rikujtuar edhe zhvillimet e vitit të kaluar për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryetarit të tij.
“Gjykata Kushtetuese kishte interpretu që i takon partisë së parë, mirë ishte që të votohej sikur u votua dikur”, u shpreh ai.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Zulfaj tha se opozita duhet të marrë pjesë në proces dhe të ushtrojë përgjegjësinë e saj në Kuvend, duke theksuar se “votat për ta zgjedhur presidentin i kemi… dhe kërkohet që deputetët të qëndrojnë në Kuvend dhe të votojnë kundër ose të abstenojnë nëse nuk e mbështesin kandidatin”.
“Vitin e kaluar kur nuk i kishim votat, ju e dini që ata vinin në Kuvend… këtë vit, tash që duhet të rrinë në Kuvend, pikërisht sepse e dinë që nuk i kemi votat, nuk vijnë në Kuvend”, tha ai.
Zulfaj deklaroi se kryeministri Kurti ka ofruar edhe marrëveshje politike. “Sot kryeministri Kurti ka ofruar marrëveshje politike, zëvendëskryeministrin, 4 poste ministrore, ndër ta edhe ministri i punëve të jashtme, me 15 deputetë thonë jo”, u shpreh ai.
Sipas tij, bllokada dhe qëllimi i bllokadës, nuk ka ndonjë emër tjetër, ajo që po bllokohet është materializimi i vullnetit të qytetarëve”.
“Zgjedhjet ishin historike, rezultati historik. Me gjithë këtë fitore, me gjithë këtë pjesëmarrje të qytetarëve, të bllokohet prapë qeverisja dhe të futemi prapë në kriza artificiale është e dëmshme”, tha Zulfaj në ‘RTK Prime’.
I pyetur nëse Vetëvendosje është e gatshme të heqë dorë nga kandidati për president për hir të kompromisit, Zulfaj tha: “tashmë janë bërë ofertat nga kryeministri, ato reflektojnë vullnetin e zgjedhjeve, pra nuk mund të heq dorë kryeministri nga rezultati i zgjedhjeve”.
Zulfaj: Kosova duhet të përshpejtojë rrugën drejt statusit kandidat në BE
Kosova ka themeluar Komitetin Ekzekutiv dhe Task Forcën për avancimin në procesin e integrimeve evropiane dhe për marrjen e statusit të kandidatit në Bashkimin Evropian. Lidhur me këtë proces, kryenegociatori Jeton Zulfaj theksoi rëndësinë strategjike të anëtarësimit në BE dhe NATO, si dhe nevojën për dinamizim të mëtejshëm të procesit të integrimit.
Ai kujtoi se Kosova ka 40 muaj që nga aplikimi për anëtarësim dhe se duhet shfrytëzuar ky vit për avancim në proces, duke punuar me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është prioritet strategjik i Qeverisë dhe zgjedhje strategjike qytetarëve dhe shoqërisë dhe këtu kemi konsensus në gjithë spektrin politik e shoqërorë, të gjithë jemi për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe prandaj po bëjmë përpjekje, këtë muaj më 15 prill që u bënë 40 muaj që nga aplikim më 15 dhjetor të vitit 2022, të ridinamizojmë procesin duke punuar me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucionet e Bashkimit Evropian për ta shfrytëzuar këtë vit për shkak se zgjerimi është prioritet i Bashkimit Evropian ndërkohë anëtarësimi është prioritet i joni”, deklaroi Zulfaj.
Ai shtoi se Kosova është vendi i vetëm pa status kandidat dhe se procesi duhet të ecë më shpejt drejt hapjes së negociatave.
“Ne jemi vendi i vetëm pa statusin kandidat dhe unë them statusi kandidat me hapjen e negociatave nuk duhej të jenë shumë larg njëri me tjetrin”, theksoi kryenegociatori i Kosovës me BE-në.



