spot_img
E premte, 24 Prill, 2026
12:09
HomeKosovaDështojnë negociatat, vendi drejt zgjedhjeve

Dështojnë negociatat, vendi drejt zgjedhjeve

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Edhe sot është diskutuar për mosarritjen e marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe dy partive opozitare, PDK-së dhe LDK-së. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ka ofruar një marrëveshje gjeneroze, ndërsa të dyja partitë nuk e kanë konsideruar të tillë.

Teksa po numërohen ditët e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, liderët e partive opozitare, të cilët dje deklaruan përfundimisht se nuk kanë arritur marrëveshje për këtë çështje, kanë vazhduar të hedhin akuza ndaj partisë në pushtet, duke e fajësuar atë për siç thonë, dështim të qëllimshëm të këtij procesi.

- Advertisement -

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se oferta e partisë së tij për LDK-në dhe PDK-në ishte gjeneroze dhe se nuk mund t’ia japë një post dikujt që nuk e ka marrë nga populli.

“Kryetari i LDK-së është i 11-ti me vota. Pra, duhet ta respektojmë rezultatin zgjedhor. Nuk mund ta shkelim vullnetin e popullit. Nuk po them që opozita është e parëndësishme, përkundrazi, kam bërë ofertë gjeneroze. Kryetari i LDK-së mund të bëhet zëvendëskryeministër, zëvendësi im dhe, përveç kësaj, njëkohësisht edhe ministër i Punëve të Jashtme, pra, t’i kenë katër ministri dhe të jetë zëvendëskryeministër”, tha ai.

- Advertisement -

Kurti komentoi edhe një herë postin e kryeparlamentarit në këmbim të votave për presidentin, pozitë që u refuzua nga dy partitë më të mëdha opozitare.

“Lirisht, PDK-ja le ta bëjë kryetar Bedri Hamzën, kryetar të Kuvendit, ose Vlora Çitakun. Albulena Haxhiu bëhet nënkryetare e Kuvendit dhe vazhdojmë tutje. Besoni që kjo nuk është pak”, theksoi ai.

E nga holli i Kuvendit, Bedri Hamza tha se Kurti nuk ishte korrekt ndaj qasjes së Partisë Demokratike për kreun e shtetit.

“Është konstatuar që nuk ka pasur seriozitet nga partia fituese dhe nga Kurti për t’i dhënë vendit një president. Nuk është trajtuar me korrektësi qasja pozitive e Partisë Demokratike të Kosovës dhe, si rezultat i kësaj gjendjeje dhe i këtyre zhvillimeve, Këshilli Drejtues ka votuar një deklaratë politike, një paragraf i së cilës ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit. Për Partinë Demokratike të Kosovës, ky proces është i përmbyllur”, pohoi Hamza, raporton televizioni publik i Kosovës.

Edhe Lutfi Haziri i Lidhjes Demokratike tha se janë ftuar për të biseduar çështjen e presidentit e kanë përfunduar me bisedimet për t’u bërë pjesë e qeverisë, diçka që sipas tij, ata nuk e kanë kërkuar asnjëherë.

“Veprime të tjera, me hapa të caktuar dhe të imponuar nga kryetari i Vetëvendosjes, kanë ndodhur. Janë bërë fakt dhe janë kryer, dhe lëvizja e djeshme për t’i ofruar LDK-së pjesëmarrje në qeverisje për ne ka qenë diçka që nuk e kemi pritur dhe nuk e kemi kërkuar”, tha Haziri.

Kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, tha se tashmë është e qartë se vendi po shkon në zgjedhje.

“Ia bajmë dertin Kosovës më shumë sesa vetes. Nuk do të ketë shqetësim për pragun. Jo vetëm që e kalojmë pragun, por besoj se do të befasojmë me sukses”, tha Haradinaj.

Kur kanë mbetur edhe 7 ditë deri në përfundim të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të shtetit, pozicionimi aktual i partive politike është shenjë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat do të jenë të tretat me radhë për më pak se 15 muaj.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat