Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka arritur në Stacionin Policor në Skenderaj, ku do të intervistohet lidhur me sulmin ndaj zëvendësministrit të Financave Hysni Mehani, njëherësh kryetar i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, si dhe aktivistit të kësaj partie, Bahri Zabeli.
Ai është pritur me duartrokitje e brohoritje nga qytetarë para Statcionit të Policisë, raporton Ekonomia Online.
Po ashtu, Lushtaku ka bërë një postim në “Facebook”, para intervistimit të tij lidhur me rastin e djeshëm, ku ndër tjerash ka thënë se, si gjithmonë, edhe sot i përgjigjem drejtësisë.
Lushtaku, ka shkruar edhe se, ai i respekton institucionet për të cilat, ai dhe bashkëluftëtarët e tij kanë luftuar.
Postimi i plotë:
Unë i përgjigjem Republikës, kombit dhe Zotit.
Si gjithmonë, edhe sot i përgjigjem drejtësisë.
I respektoj institucionet për të cilat unë dhe bashkëluftëtarët e mi kemi luftuar dhe kemi dhënë gjithçka.
Për dallim nga Albin Kurti, i cili nuk respekton as Policinë e as Prokurorinë, që Kushtetutën e shkel sa herë i konvenon politikisht, unë i respektoj dhe ju përgjigjem gjithmonë institucioneve të Republikës.
Bëj thirrje për qetësi dhe maturi ndërsa shpresoj që Prokuroria të mos instrumentalizohet, por ta kryejë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa ndikime dhe pa presion!
Kryetari i Veteranëve, Gucati: Nëse Sami Lushtaku arrestohet me dhunë, do të përgjigjemi njëjtë



