E PLOTËSUAR / Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.
Lëvizja Vetëvendosje do të garojë në zgjedhjet e qershorit me numrin 116, Partia Demokratike e Kosovës me numrin 125, Lidhja Demokratike e Kosovës me numër 113, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me numër 128 dhe Partia Socialdemokrate me numër 129.
Sipas të dhënave të KQZ-së, për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet e 7 qershorit, do të garojnë 23 subjekte politike me gjithsej 917 kandidatë.
KQZ sot tërheq shortin për renditjen e partive në fletëvotim
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të zhvillojë dy aktivitete në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.
Në orën 11:00, KQZ-ja do të organizojë ceremoninë e tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Ndërkaq, në orën 13:00, në selinë e KQZ-së, do të mbahet mbledhja e radhës e këtij institucioni, në të cilën pritet të shqyrtohen dhe miratohen disa çështje të rëndësishme për organizimin e procesit zgjedhor.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, në këtë mbledhje pritet të certifikohen kandidatët e subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 7 qershorit, si dhe të miratohet dizajni dhe përmbajtja e fletëvotimit për votimin jashtë Kosovës.
Në rend të ditës janë edhe: Shqyrtimi dhe miratimi i dizajnit të vulës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës; Shqyrtimi dhe miratimi i formulës së anëtarëve të këshillave të vendvotimeve me kusht; si dhe – Shqyrtimi dhe miratimi i formulës së ekipeve të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit.



