Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në veri të Mitrovicës, ku mori pjesë në përurimin e objektit të ri të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Gjatë kësaj vizite, shefi i ekzekutivit deklaroi se institucionet e vendit janë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim etnik, duke vënë theksin te puna e qeverisë për barazi dhe sundim të ligjit në çdo cep të territorit.
“Ne punojmë për të gjithë qytetarët. Unë nuk jam mbi ligjin. Koha para qeverisë sonë nuk ka qenë normale. Nuk them se tani është gjithçka normale, por them se gjithçka po normalizohet”, u shpreh Kurti para gazetarëve.
Kryeministri theksoi se epoka e grupeve të paprekshme ka përfunduar dhe se ligji tani shërben si element bashkues për shoqërinë.
“Ligji nuk është ai që e ndan shoqërinë në ata që nuk janë të mbrojtur dhe në ata që askush nuk guxon t’i prekë. Përkundrazi, ai e bashkon shoqërinë me drejtësi dhe barazi. Nuk mund ta jepni asnjë shembull ku organet e pushtetit, si Policia e Kosovës apo tani edhe Administrata Tatimore, nuk u shërbejnë të gjithëve njëjtë dhe profesionalisht”, potencoi kryeministri.
Ky përurim shihet si një hap i rëndësishëm drejt integrimit të plotë institucional dhe shtrirjes së sovranitetit ekonomik në pjesën veriore të vendit.



