spot_img
E martë, 5 Maj, 2026
13:45
Home Blog Page 1781

Putin shpreh gatishmërinë për të hyrë në negociata për ndaljen e luftës në Ukrainë

0

Presidenti rus Vlladimir Putin, në konferencën e fundvitit, ka shprehur gatishmërinë për t’u ulur në bisedime për ndërprerjen e luftës në Ukrainë.

Ai ka njoftuar se Sllovakia është e gatshme të presë bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.

Sipas tij, autoritetet sllovake kanë thënë se ato “do të ishin të lumtura të ofronin vendin e tyre si një platformë për negociata”.

“Ne nuk jemi kundër, nëse bëhet fjalë për këtë”, shtoi ai. “Pse jo? Meqenëse Sllovakia mban një pozicion kaq neutral”.

Në këtë konferencë ai ka folur edhe për furnizimin me gaz, derisa ka shtuar se nuk ka mbetur kohë këtë vit për të nënshkruar një marrëveshje të re të transitit të gazit ukrainas, duke fajësuar Ukrainën për refuzimin e zgjatjes së marrëveshjes.

Marrëveshja aktuale pesëvjeçare që furnizon Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Austrinë me gaz rus nëpërmjet Ukrainës skadon në fund të vitit.

Volodymyr Zelenskyy ka thënë se Kievi nuk do ta rinovojë marrëveshjen.

Maqedonci: Sulmet nga Serbia vazhdojnë derisa Radoiçiq dhe grupi i tij mbeten të lirë

0

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se sulmet nga Serbia në Kosovë, sidomos në pjesën e veriut të vendit mund të jenë të mundshme përderisa Milan Radoiçiq dhe grupi i tij janë në liri.

I pyetur për paralajmërimin e kryeministrit Kurti se mund të ketë sulme në veri para ose pas Viti të Ri, ai ka thënë se kjo është paralajmëruar gjatë gjithë kohës, por që Kurti ka qenë më specifik.

Maqedonci ka thënë se grupi i Radoiçiqit vazhdo të përkrahet nga strukturat e sigurisë së Serbisë dhe kryen aktivitete në këtë shtet.

“Sulmet mund të jenë të mundshme për faktin që grupi i Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë, për më tepër vazhdon të mbështetet nga strukturat e sigurisë në Serbi dhe vazhdon të mbetet edhe i organizuar”, tha ai në Teve1.

Maqedonci ka thënë se me paralajmërimet për sulme nuk po dëshirojnë të ngjallin panik tek qytetarët, por siç është shprehur ai e kanë për detyrë t’i njoftojnë qytetarët me rreziqet dhe kërcënimet që i vijnë vendit.

Vetëm gjatë vitit 2024 në veri të vendit janë kryere 15 sulme, që kanë pas cak edhe objekte institucionale. I fundit ishte ai më 29 nëntor në kanalin “Ibër – Lepencit”.

20 vjet nga cunami tragjik që mori jetën e 230 mijë personave

0

Familjarë e të afërm të viktimave të cunamit u mblodhën për t’u lutur dhe vizituar varrezat masive në qytetin Banda Aceh të Indonezisë së enjten për të përkujtuar 20 vjetorin e cunamit në Oqeanin Paqësor, një prej katastrofave më të mëdha natyrore në historinë moderne.

Shumë prej të pranishmëve qanin ndërsa vendosnin lule në varrin masiv në fshatin Ulee Lheue, ku ndodhen mbi 14,000 viktima të paidentifikuara të cunamit. Kjo është një prej varrezave masive në Banda Aceh, kryeqytetin e njërës prej krahinave veriore të Indonezisë, që ishte edhe njëri prej vendbanimeve më të goditura nga tërmeti prej 9.1 shkallësh dhe cunamit masiv që e shkaktoi ai.

“Na mungojnë dhe ende nuk e dimë se ku janë. E tëra që dimë është se çdo vit e vizitojmë varrin masiv në Ulee Lhue dhe në Siron”, thotë Muhamad Amirudin, i cili humbi dy fëmijët e tij para 20 vitesh deh kurrë nuk i gjeti trupat e tyre.

Tërmeti i fuqishëm në afërsi të ishullit indonezian Sumatra më 26 dhjetor të vitit 2004, nxiti cunamin që shkaktoi vdekjen e rreth 230,000 njerëzve në disa shtetet, përfshirë disa prej tyre në Afrikën Lindore. Rreth 1.7 milionë njerëz u zhvendosën si pasojë, shumica në katër vendet që u goditën më së shumti: Indonezi, Shri Lankë, Indi dhe Tajlandë.

Mbi 170 mijë njerëz humbën jetën vetëm në Indonezi.

Ndonëse 20 vite kaluan që nga kjo ngjarje, të mbijetuarit në Indonezi ende po vajtojnë për të dashurit që i humbën kur valët gjigande rrafshuan ndërtesat deri në kryeqytetin Banda Aceh.

Qindra njerëz u mblodhën për të marrë pjesë në lutje në Xhaminë Baiturrahman në qendër të kryeqytetit. Sirenat kumbuan nëpër tërë qytetin për tre minuta për të shënuar kohën kur goditi tërmeti.

Infrastruktura në Banda Aceh është rindërtuar dhe tani është më e qëndrueshme se atëherë kur goditi cunami. Sistemi i paralajmërimit të hershëm tani është vendosur në zonat bregdetare për t’i paralajmëruar banorët për rreziqet nga cunami.

Rindërtimi është mundësuar me mbështetjen e donatorëve dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat kontribuan fonde të konsiderueshme për të ndihmuar në rimëkëmbjen e rajonit.

Shkollat, spitalet dhe infrastruktura thelbësore, të cilat u shkatërrua gjatë kësaj katastrofe, u rindërtuan.

Në Tajlandë, banorët u mblodhën në një ceremoni përkujtimore në Ban Nam Khem, një fshat peshkimi në krahinën Phang Nga, i cili ishte ndër vendbanimet e goditura më së shumti nga valët vdekjeprurëse në këtë shtet.

Cunami shkaktoi vdekjen e mbi 8 mijë njerëzve në Tajlandë, përfshirë ata që ende figurojnë të zhdukur, duke lënë një plagë të thellë në historinë e këtij vendi. Rreth 400 trupa ende nuk janë identifikuar.

Të afërmit e viktimave qajtën dhe përqafuan njëri-tjetrin ndërsa vendosën lule në monumentin përkujtimor. Rreth 300 banorë u bashkuan në një ceremoni modeste lutjesh myslimane, të krishtera dhe budiste.

Njëra nga të pranishmet, Urai Sirisuk tha se ajo shmang gjatë tërë vitit parkun përkujtimor pranë detit për shkak të tronditjes së humbjes së vajzës së saj 4 vjeçe.

“E kam ndjenjën që deti më mori fëmijën tim. Jam shumë e zemëruar në të. Nuk mund as ta fus më këmbën në det”, thotë ajo.

Por, thotë ajo, “ende e dëgjoj zërin e saj në veshët e mi, që po më thërret. Nuk mund t’ia kthej shpinën. Andaj më duhet të qëndroj këtu, për vajzën time”.

Në Indi, qindra banorë u mblodhën në plazhin Marina në qytetin jugor Chennai në krahinën Tamil Nadu. Ata derdhën qumësht në det për t’i qetësuar zotërat dhe dhuruan lule e lutje për të vdekurit ndërkohë që daullet kumbonin.

Sipas të dhënave zyrtare, 10,749 persona humbën jetën në Indi, përfshirë 7,000 banorë të krahinës Tamil Nadu.

“Kaluan 20 vite që kur goditi cunami”, tha 69 vjeçarja Sadayammal. “Jemi këtu për të shprehur respektin për njerëzit që humbën jetën”.

Në Shri Lankë, të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave të cunamit u mblodhën në fshatin bregdetar Pereliya dhe vendosën lule në monumentin përkujtimor që përkujton 2,000 udhëtarët që humbën jetën kur treni – ‘Queen of the Sea’ – me të cilin po udhëtonin u godit nga valët. Vetëm disa dhjetëra prej tyre besohet se mbijetuan.

Anura Ranjith iu bashkua turmës për të përkujtuar motrën e tij, Anula Ranjani dhe vajzën e saj 9 vjeçare, që udhëtonin me tren. Ai kurrë nuk dëgjoi më për fatin e tyre.

“Me vite i kam kërkuar gjithandej dhe ende nuk kam ndonjë informacion për to. E ndjej një pikëllim të thellë dhe dhimbje për humbjen e tyre. Ende po vajtoj”, thotë ai.

Mbi 35,000 njerëz humbën jetën nga cunami në Shri Lankë. Banorët e këtij vendi mbajtën dy minuta heshtje të enjten për të përkujtuar ata që nuk janë më. /VOA

Kaos në fluturime, shumë aeroporte mbyllen pa asnjë shpjegim

0

Aeroportet në qytetet ruse të Moskës dhe Kalugës, pezulluan përkohësisht operimet të enjten, pa asnjë arsye të qartë të dhënë nga autoritetet.

Mbylljet u raportuan nga Rosaviatsia, Agjencia Federale e Transportit Ajror të Rusisë.

Katër aeroportet e prekura ishin Vnukovo, Sheremetyevo, Domodedovo dhe Zhukovsky.

“Për të garantuar sigurinë e fluturimeve të avionëve civilë, janë vendosur kufizime të përkohshme në funksionimin e aeroporteve Sheremetyevo, Domodedovo, Vnukovo, Zhukovsky dhe Kaluga”, njoftoi agjencia.

Më herët, Aeroporti Ndërkombëtar i Kazanit gjithashtu pezulloi të gjitha fluturimet.

Zëdhënësi i Rosaviatsia, Artem Korenyako tha se masat janë marrë për të garantuar sigurinë e fluturimeve të avionëve civilë.

Munter: SHBA-ja do të ndryshojë strategjinë ndaj Kosovës dhe Serbisë

0

Ish-diplomati amerikan, Cameron Munter, thotë se negociatat mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk mund të vazhdojnë pa ndryshuar asgjë, “nëse nuk duam t’i kalojmë edhe 15 vjet të tjerë duke pritur”.

Ai beson se rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të imponojë patjetër ndryshim të strategjisë, pasi, siç thotë, Trump do marrëveshje.

“Synim i tij nuk është t’i fusë serbët dhe kosovarët në Bashkimin Evropian. Synim i tij është ta bëjë më të mirën për Shtetet e Bashkuara, ta bëjë Amerikën sërish madhështore”, thotë Munter në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka avantazhe dhe disavantazhe në raport me presidentin e zgjedhur, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka punuar në krijimin e lidhjeve personale me njerëzit e administratës së tij.

Munter ishte ambasador i SHBA-së në Serbi, kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Munter, Kosova dhe Serbia janë të angazhuara në negociata për normalizimin e marrëdhënieve për gati 14 vjet, por qëllimi përfundimtar mbetet ende larg. Nëse dikush do të duhej të mbante përgjegjësi për këtë situatë, kush besoni se do të ishte?

Cameron Munter: Nuk jam adhurues i madh i gjetjes së fajtorit. Jam adhurues i gjetjes së zgjidhjes. Ndaj, dua të bëj disa vlerësime se çfarë ka shkuar keq dhe çfarë mund të ketë shkuar mirë.

Unë mendoj se fokusi ka qenë në gjëra të vogla, në detaje – qofshin ato targa të makinave apo dokumente… Këto natyrisht se janë të rëndësishme në jetën e përditshme. Por, unë kam ndjesinë se duhet të zgjerohet diapazoni dhe kjo të mos trajtohet vetëm si çështje e Kosovës dhe Serbisë. Sepse, në të gjithë Ballkanin Perëndimor ka çështje shumë të mëdha dhe sa më shumë që zhytemi në detaje, aq më pak përparim bëjmë.

Megjithatë, do ta thyej pak rregullin tim dhe do ta fajësoj pak Bashkimin Evropian, ku ka një tendencë për t’u marrë me detaje dhe jo me strategji të shkallës së gjerë.

Unë mendoj se strategji në shkallë të gjerë do të ishte sikur t’i shqyrtonim të gjitha çështjet në rajon, e jo vetëm çështjet institucionale.

Për çfarë brengoset BE-ja? Brengoset për imigrimin. Brengoset për energjinë. Brengoset për infrastrukturën. Këto janë çështje që Ballkani mund të ndihmojë të zgjidhen.

Nëse do të merreshim me to, më shumë sesa me detaje të vogla, mendoj se do të bënim më shumë përparim, sepse ato janë në interesin e të gjithëve, jo vetëm të Kosovës dhe të Serbisë, por edhe të Bashkimit Evropian, e madje edhe të SHBA-së.

Pra, përgjigjja ime për ju është: nëse duam të ketë përparim mes Kosovës dhe Serbisë, ai duhet të nxirret nga zgjidhja e çështjeve të mëdha.

Radio Evropa e Lirë: Pra, mendoni se ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kanë mundur të bëjnë më shumë në këtë proces?

Cameron Munter: Po. Marr si shembull Procesin e Berlinit, të mblidhen çdo gjashtë muaj, ta bëjnë listën e problemeve… Unë nuk dua të jem skeptik, por ky proces [i negociatave] e ka treguar veten jo në 3-4 vjetët e fundit, por në dhjetë vjetët e fundit, sepse nuk ka pasur përparim.

Unë jam larguar nga Serbia në vitin 2009, pra para 15 vjetësh, dhe shumë prej problemeve atje mbeten të njëjta.

Unë mendoj se procesi aktual duhet të ndryshojë dhe mendoj se do të ketë një shtysë për ta ndryshuar atë me ardhjen e administratës së re në Uashington.

Administrata e re në Uashington nuk është mike e Bashkimit Evropian. Donald Trump nuk është dikush që mendon shumë për Bashkimin Evropian. Donald Trump nuk brengoset, ai do marrëveshje. Ai do marrëveshje me Serbinë, me Hungarinë, me Rumaninë… Nuk ka rëndësi. Ai do marrëveshje dhe nuk është strategjik.

Kjo do të thotë se mënyra tradicionale strategjike me të cilën kanë biseduar Bashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk është më qëllim i Donald Trumpit. Atij nuk i intereson nëse dikush do të hyjë ndonjëherë në Bashkimin Evropian. Atij i intereson arritja e një marrëveshjeje.

Unë mendoj se njerëzit që jetojnë në rajon, njerëzit që punojnë në rajon, duhet ta kenë parasysh se qasja e deritashme nuk do të funksionojë më – nuk do të ketë më një Gabriel Escobar [ish-i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor] që e mbështet Mirosllav Lajçakun [përfaqësues i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi].

Amerikanët nuk do të jenë më pjesë e kësaj. Ata do të thonë: kemi probleme me gazin natyror, me imigrimin, me investimet… Do të na ndihmoni t’i zgjidhim apo jo? Dhe, kështu, Kosova, Serbia, Mali i Zi… të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor mund të jenë pjesë e përgjigjes, në vend se të jenë problemi që BE-ja duhet ta zgjidhë.

Radio Evropa e Lirë: Marrë parasysh se ka disa çështje urgjente ndërkombëtare në këtë kohë, sa mendoni se do të përfshihet administrata e re amerikane në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë?

Cameron Munter: Mendoj se fokusi i Shteteve të Bashkuara as që do të jetë në çështjet e jashtme, por në çështjet e brendshme. Kam qenë në Uashington së voni dhe kam dëgjuar sesi amerikanët flasin për tri prioritete. Prioriteti i parë është Kina, prioriteti i dytë është Kina dhe prioriteti i tretë është Kina. Ajo është e gjitha për çfarë flasin. Ndaj, mendoj se angazhimi në Ballkan do të vijë në vazhdën e çështjeve të brendshme.

Nëse amerikanët do të jenë vërtet të ashpër ndaj Kinës, një gjë e tillë nuk do të jetë e lehtë për [presidentin e Serbisë] Aleksandar Vuçiq, sepse ai ka punuar shumë për të zhvilluar marrëdhënie të mira me kinezët dhe marrëdhënie të mira me amerikanët.

Por, këtu, ekziston edhe elementi personal. Richard Grenell, i cili tani është emëruar këshilltar për projekte speciale i presidentit Trump, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, kanë shfaqur interes të madh për investime në Shqipëri, në Serbi e vende të tilla.

Pra, do të ketë njerëz që do të ndjekin marrëveshje, por jo në stilin tradicional amerikan. Mënyrë tradicionale ka qenë kur [sekretari amerikan i Shtetit] Antony Blinken ka shkuar në Bruksel, kur Gabriel Escobar ka shkuar në Ballkan…

E, tani, mënyrë jotradicionale do të jetë ndjekja e marrëveshjeve jo me synim strategjik, por opurtunist.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që Kosova dhe Serbia të detyrohen të bëjnë kompromise të vështira?

Cameron Munter: Ato mund të detyrohen. Qëllimi i vjetër ishte: nëse e bëni këtë, do të hyni në Bashkimin Evropian – si formë e shpërblimit; nëse nuk e bëni, nuk do të hyni kurrë.

Synim i Donald Trumpit nuk është t’i fusë serbët dhe kosovarët në Bashkimin Evropian. Synim i tij është ta bëjë më të mirën për Shtetet e Bashkuara, ta bëjë Amerikën sërish madhështore. Ai nuk thotë ‘bëjeni Kosovën sërish madhështore’, ‘bëjeni Serbinë sërish madhështore’.

Nëse njerëzit që i drejtojnë këto vende, [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti, dhe [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, i kushtojnë vëmendje… ata do të përpiqen t’i përshtatin interesat e tyre me interesat e Trumpit.

Për mua, interesat e Trumpit nuk janë gjithmonë të qarta, ndaj atyre do t’u duhet të zbulojnë se çfarë të bëjnë. A do të thotë kjo se ata duhet të bëjnë kompromise të dhimbshme? Ndoshta. Por, le të kujtojmë se nuk do të jenë në kontekstin e asaj që kemi pasur në të kaluarën.

Unë nuk pres që të ketë aq shumë angazhim si në të kaluarën. Mund edhe të gaboj, por çfarë nëse Trump thotë: ‘unë nuk dua që ju ta vazhdoni bashkëpunimin me Kinën’? Çfarë do të bëjë Aleksandar Vuçiq? Kompromis të dhimbshëm, apo jo? Pra, mund të ketë kompromise të dhimbshme, por jo të tilla që priteshin në të kaluarën.

Radio Evropa e Lirë: E, çfarë sa i përket Kosovës në atë rast? Kosova nuk është shumë e lidhur me Kinën.

Cameron Munter: Keni absolutisht të drejtë. Nëse udhëheqësit e Kosovës janë të zgjuar, do t’i thonë: ‘ne jemi me ju, ne jemi të ashpër ndaj Kinës’. Ata do të duhej të luanin me këtë kartë. Por, Kurti është ndryshe nga Vuçiqi, ata nuk janë të ngjashëm në mënyrën se si u qasen problemeve.

Kurtit do t’i duhet të punojë shumë për të krijuar një lidhje personale me njerëzit në administratën Trump. Në këtë drejtim, Vuçiq ka bërë punë më të mirë në të kaluarën.

Radio Evropa e Lirë: Po thoni se Kurti është në disavantazh sa i përket kësaj?

Cameron Munter: Po, mendoj se ai është në disavantazh, sepse këtu ka një histori të lidhjeve personale. Vuçiq ka qenë te Trumpi në Shtëpinë e Bardhë. Ka një histori të marrëveshjeve biznesore. Ka premtime se do të ketë investime në rrugën kryesore në Beograd, në ndërtimin e një hoteli luksoz.

Ky lloj marrëdhënieje – mesa di unë – nuk ekziston midis Kurtit dhe njerëzve në administratën e re të SHBA-së.

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë qenë të lidhura ngushtë në të kaluarën. Në katër vjetët e fundit, ato kanë thënë se politika e tyre është e njëjtë, por kjo nuk duket se ekziston më. Tani do të duhet një lloj i ri i politikës, në të cilën udhëheqësit e dy vendeve [Kosovës dhe Serbisë] do të duhet të vendosin: të shkojnë në drejtimin evropian apo në drejtimin amerikan?! Normalisht nëse ata janë të ndryshëm.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, cila do të ishte zgjedhja më e mirë, sipas jush?

Cameron Munter: Sipas meje, ajo që duhet të bësh, është të marrësh informacione. Askush prej nesh nuk e di ende… Të vendoset në dhjetor të vitit 2024 se cila do të jetë politika, mendoj se nuk është një gjë e zgjuar. Ajo që duhet të bëjnë udhëheqësit e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, jo vetëm të Kosovës dhe të Serbisë, është të presin se kush do të merret më shumë me çështjet e tyre.

Nëse ne flasim pas gjashtë muajsh, situata mund të jetë krejt ndryshe. Trump nuk do që të jetë i parashikueshëm. Për diplomatët tradicionalë si unë, kjo është e tmerrshme. Por, nëse kjo është ajo që ai do, ne duhet të pajtohemi.

Unë, si diplomat amerikan, kam besuar gjithmonë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do t’i përkasin Bashkimit Evropian dhe familjes së vendeve demokratike në Perëndim. Trump është presidenti i parë që kam parë, që nuk i intereson komuniteti i demokracive në Perëndim. Pra, është një botë e re. Ju duhet të shikoni se cilat janë avantazhet e juaja dhe çfarë mund të bëni. Por, këtë nuk do të mund ta dini derisa të kalojnë disa muaj të administratës së tij.

Radio Evropa e Lirë: Do të shohim edhe 14 vjet të tjerë me negociata?

Cameron Munter: Jo, nuk mendoj ashtu. Mendoj se do të shohim opsione të tjera. Mund të ndodhë që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk bëhen kurrë anëtare të BE-së. Mund të ndodhë që vetë Bashkimi Evropian ndryshon dhe reformohet dhe nuk ka më ide ekspansioniste, që kanë qenë bazë e Bashkimit Evropian në 30 vjetët e fundit. Mund të ketë reforma brenda BE-së dhe ato të vijnë jo si rezultat i ngjarjeve në Ballkan, por si rezultat i mënyrës sesi përfundon lufta në Ukrainë, ose si funksionon tregtia me Kinën dhe me SHBA-në.

Pra, Ballkani Perëndimor duhet të presë për të parë sesi ndryshojnë gjërat në botë përpara se të marrë vendime për të ardhmen e tij.

Por, ju nuk keni nevojë vetëm për Gjermaninë dhe Amerikën që të marrin vendime për ju. Ju mund të merrni vendime edhe me vende të tjera.

Për shembull, për të pasur furnizime koherente me energji në të gjitha vendet në rajon, duhet të ndërtohen tubacione dhe infrastruktura. Ju nuk keni nevojë për Amerikën për ta bërë një gjë të tillë. Do të ishte një ndihmesë nëse Amerika do të ndihmonte, por mund ta bëni vetë, duke punuar së bashku. Dhe, nëse e bëni këtë, ju arrini përparim – edhe nëse Berlini mendon për diçka tjetër, ose Amerika mendon për diçka tjetër.

Do të ishte një gjë e zgjuar të mendohej për një Ballkan më të madh, në vend se të thuhet se ‘ne jemi gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që presim për të hyrë në Bashkimin Evropian, dhe kjo është e gjitha që bëjmë’.

Unë do të shikoja jashtë dhe do të thosha: si të merremi me çështjet e tilla si gazi natyror? Çfarë qasjeje të përbashkët mund të ndjekim për të nxitur turizmin? Si të arrijmë që njerëzit tanë të kenë perspektivë për një të ardhme më të mirë dhe të mos varen nga amerikanët?

Radio Evropa e Lirë: Por, a është kjo e mundur nëse Serbia nuk e njeh ende Kosovën?

Cameron Munter: Kosovarët mund të punojnë me grekët, kosovarët mund të punojnë me maqedonasit… Keni njerëz të tjerë në rajon, me të cilët mund të punoni. Ju nuk duhet të mendoni ashtu siç keni menduar në 15 vjetët e fundit. Mund të nisni një rrugë ndryshe, të ndërmerrni iniciativa ndryshe.

Nëse vazhdojmë të mendojmë vetëm për njohjen mes Kosovës dhe Serbisë, do t’i kalojmë edhe 15 vjet të tjerë duke pritur. Unë besoj se kjo nuk është thjesht një çështje diskrete mes dy vendeve. Kjo kërkon një zgjidhje më të gjerë, brenda së cilës Kosova dhe Serbia mësojnë të kenë një të ardhme të begatë, të drejtë dhe demokratike. /REL

Izraeli gati sa nuk e mbyti shefin e OBSH-së

0

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ishte në aeroportin e Sanaa në momentin e sulmit nga ushtria izraelite.

“Ndërsa ishim gati të hipnim në fluturimin tonë nga Sana’a, rreth dy orë më parë, aeroporti u bombardua nga ajri. Një nga anëtarët e ekuipazhit të avionit tonë u plagos. Të paktën dy persona u raportuan të vrarë në aeroport. Kulla e kontrollit të trafikut ajror, salloni i nisjes – vetëm pak metra nga vendi ku ishim – dhe pista u dëmtuan”, njoftoi ai.

Haradinaj: Mikpritja shqiptare, thesari që mban gjallë identitetin kombëtar

0

Mikpritja tradicionale shqiptare është thesar që ruan e kultivon identitetin tonë kombëtar.

Kështu është shprehur kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas vizitës në familjen Muçaj në Llukë të Deçanit.

Mund të jetë një imazh i 5 persona

“Mikpritja tradicionale shqiptare është thesar që ruan e kultivon identitetin tonë kombëtar. Në Llukë të Deçanit, në familjen Muçaj, me shumë miq e bashkëluftëtarë dhe bashkatdhetarë, përjetova traditën tonë të lashtë të mikpritjes”, ka shkruar ai.

Mund të jetë një imazh i 3 persona

Arrestohen zyrtarët e Graçanicës, akuzohen për kërkimin e 25 mijë eurove për bartjen e pronësisë

0

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njofton se ka pranuar informatën ku dyshohej se disa zyrtar të Komunës së Graçanicës, më saktësisht zyrtarë nga Drejtoria e Kadastrit dhe Pronës janë përfshirë në veprat penale të “Keqpërdorimit të Detyrës Zyrtare” dhe “Marrje e Ryshfetit”.

Zyrtarë të caktuar dyshohet se kishin kërkuar nga një qytetar mjete monetare në vlerë prej 25,000.00 euro për përfundimin e një lënde në lidhje me bartjen e pronësisë, njofton policia.

“Pas marrjes se këtij informacioni hetuesit e krimeve ekonomike dhe korrupsionit nga Policia e Kosovës kanë aplikuar masat e veçanta me ç ‘rast më dt. 26.12.2024, gjatë një operacioni taktik kanë arrestuar në flagrancë dy të dyshuar me iniciale (V.S dhe Z.M) duke pranuar mjetet monetare në vlerën e cekur me lartë me qëllim të përfundimit të lëndës. Ndërsa, tre të dyshuarit tjerë dyshohet që në bashkëveprim kanë kryere veprat penale të cekura më lartë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Pas arrestimit të të dyshuarave, janë kryer bastisje në tri lokacione të ndara ku janë sekuestruar edhe dëshmitë në vijim:

“Në shtëpinë e të dyshuarit me inicilae (V.S.) janë sekuestruar 5,000.00€ (pesëmijë euro) para të gatshme;

Në shtëpinë e të dyshuarit me iniciale (D.F.) janë sekuestruar 2,000.00€ (dymijë euro) para të gatshme;

Po ashtu, janë sekuestruar: 7 (shtatë) telefona mobil personal, pronë e të dyshuarve të cilët do të dërgohen për ekzaminim të mëtutjeshëm”.

Të gjithë të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokateve të tyre mbrojtës, të cilëve Prokurori i lëndës; dy prej tyre  (V.S dhe Z.M ), ju ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orëve, ndërsa tre personat tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

“Të gjitha veprimet hetimore janë kryer në bashkëveprim dhe nën mbikëqyrjen e Prokurorit të Prokurorisë themelore në Prishtinë”, përfundon njoftimi.

Bislimi: Masat janë marrë, qytetarët të festojnë me zemër, jo me armë

0

Edhe këtë vit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e duhura për festat e fundvitit, në mënyrë që qytetarët të ndihen sa më të sigurt dhe të ruhet rendi dhe prona publike dhe ajo private.

Kështu është shprehur Bekim Bislimi, drejtor i Drejtorisë së Policisë së Kosovës në Rajonin e Prishtinës.

“Si zakonisht festat e fundvitit reflektojnë me një prezencë të shtuar të qytetarëve në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare, ku reflekton natyrshëm edhe numri i bashkatdhetarëve që vijnë për festa. Në këtë kontekst Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit, duke iu referuar një urdhri operativ nga Drejtoria e Përgjithshme ka përpiluar një plan operativ për festat e fundvitit. Konform kësaj kemi të angazhuar njësi të mjaftueshme për ruajtjen e rendit, qetësisë publike, jetës dhe pronës publike dhe asaj private”, tha Bislimi.

Ai ka thënë se fatmirësisht ka zvogëlim të rasteve me lëndime nga viti në vit, por u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin përdorimin e armëve të zjarrit, si dhe të marrin udhëzimet e nevojshme për përdorimin e mjeteve piroteknike.

“Fatmirësisht kemi rënie të numrit të personave të lënduar nga përdorimi i fishekzjarrëve pa udhëzime të mjaftueshme, njëkohësisht në rënie e sipër është edhe numri i personave nga përdorimi i armëve të zjarrit. Megjithatë nuk duhet të ndihemi komfort, pasi referuar një statistike të vitit të kaluar kemi pasur 10 raste të raportuara të përdorimit të armëve dhe si rezultat që është dëmtuar prona private, e fatkeqësisht kemi pasur edhe një lëndim trupor. Prandaj, shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje qytetarëve që të festohet me zemër, e jo me armë”, tha ai në RTK.

Bislimi ka thënë se përdorimi i mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve duhet të bëhet sipas udhëzimeve, e të cilat, sipas tij, qytetarët mund t’i marrin në çdo kohë nëse i kërkojnë. Ai ka thënë se qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm edhe ku i përdorin ato, pasi sipas rregullores është i ndaluar përdorimi në vende publike, aty ku ka qarkullim të madh të njerëzve, afër  çerdheve, në shesh, te pompat e derivateve etj.

Ai ka thënë se për shkelësit e rregullores ka gjoba, e të cilat nuk janë të vogla: “Gjobat për personat fizik janë nga 200 deri në 500 euro, ndërsa për ata juridik prej 1 mijë deri në 5 mijë euro varësisht prej kundërvajtjeve që shkakton”, shtoi ai.

Sipas Bislimit përdorimi i armëve nuk e justifikon aspak festën dhe ka bërë thirrje që ato të shmangen nga të gjithë qytetarët.

Haradinaj: Katërshja e UÇK-së në Hagë, më e bashkuar se gjatë luftës

0

Ish i dënuari me katër vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale, Nasim Haradinaj, ka folur për kohën e kaluar në Hagë.

Haradinaj foli edhe për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, për të cilët tha se nuk kanë ndarje mes vete, por kanë unitet edhe më të fortë sesa gjatë luftës.

“Ata nuk kanë ndarje, deri në ditën që jam liruar unë flas me kompetencë, ata kanë pasur një unitet edhe më të fortë se që e kishin gjatë luftës”.

“Të katërt janë të unifikuar dhe vetë fakti që i kanë detyruar edhe avokatët të bashkëpunojnë mes vete, pasi avokatët shikojnë vetëm klientin e vet, deri sa kam qenë unë kanë qenë bashkë”, tha Haradinaj në Klan Kosova.

Ai më tej vazhdoj duke thënë se në Kosovë po bëhet politikë, por sipas tij, po bëhet politikë e dëmshme në kurriz të ish-luftëtarëve.

“Këta lë të bëjnë politikë sa të duan, por po bëjnë politikë në dëm të shokëve të tyre sepse një pjesë të fajit e kemi edhe disa prej neve që pjesën e luftës e çuan në politikë si bagazh, për të ecur përpara personalisht, e kanë bërë shumë gabim”, tha ai.