spot_img
E martë, 5 Maj, 2026
15:11
Home Blog Page 1782

Haradinaj: Katërshja e UÇK-së në Hagë, më e bashkuar se gjatë luftës

0

Ish i dënuari me katër vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale, Nasim Haradinaj, ka folur për kohën e kaluar në Hagë.

Haradinaj foli edhe për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, për të cilët tha se nuk kanë ndarje mes vete, por kanë unitet edhe më të fortë sesa gjatë luftës.

“Ata nuk kanë ndarje, deri në ditën që jam liruar unë flas me kompetencë, ata kanë pasur një unitet edhe më të fortë se që e kishin gjatë luftës”.

“Të katërt janë të unifikuar dhe vetë fakti që i kanë detyruar edhe avokatët të bashkëpunojnë mes vete, pasi avokatët shikojnë vetëm klientin e vet, deri sa kam qenë unë kanë qenë bashkë”, tha Haradinaj në Klan Kosova.

Ai më tej vazhdoj duke thënë se në Kosovë po bëhet politikë, por sipas tij, po bëhet politikë e dëmshme në kurriz të ish-luftëtarëve.

“Këta lë të bëjnë politikë sa të duan, por po bëjnë politikë në dëm të shokëve të tyre sepse një pjesë të fajit e kemi edhe disa prej neve që pjesën e luftës e çuan në politikë si bagazh, për të ecur përpara personalisht, e kanë bërë shumë gabim”, tha ai.

Shala: KQZ duhet të zbatojë vendimin e PZAP për Listën Serbe

0

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, duke konstatuar se kjo parti ka përmbushur të gjitha kriteret ligjore të nevojshme.

Vendimi vjen pas ankesës së Listës Serbe kundër vendimit të mëparshëm të KQZ-së për të mos e certifikuar këtë subjekt politik.

Ish-anëtari i PZAP-së, Hasan Shala, ka deklaruar se KQZ-ja ka për detyrim ligjor të zbatojë vendimet e PZAP-së, pasi ato janë të formës së prerë dhe detyrimisht të zbatueshme.

“Jo obligim po detyrim e ka me zbatu. Edhe jo vetëm KQZ-ja, por të gjitha institucionet e tjera shtetërore janë të detyruara me zbatu vendim e PZAP-it, kur është i formës së prerë. Vendimet e PZAP-it duhet të zbatohen dhe detyrimisht janë të zbatueshme. Tani këta kane të drejtë, KQZ-ja, me ankimu në Gjykatë Supreme këtë vendim. Me sa unë po dëgjoj këta nuk do ta ankimojnë”, ka thënë Shala.

Në lidhje me situatën aktuale, Shala theksoi se KQZ-ja mund të paraqesë ankesë në Gjykatën Supreme për këtë vendim, por shtoi se refuzimi i zbatimit të vendimit të PZAP-së pa arsye do të përbënte shkelje ligjore.

“Ata kanë me zbatu se nëse nuk e zbatojnë bëjnë vepër penale. Se ligji për zgjedhjet shumë qartë thotë: vendimet e PZAP-it janë detyrimisht të zbatueshme. Ata munden me abstenu me mungu, mirëpo KQZ-ja këtë as që ka dilemë”, ka shtuar Shala, të Dukagjini.

Vendimi i PZAP-së ka hedhur poshtë vendimin e KQZ-së të datës 23 dhjetor, duke argumentuar se Lista Serbe ka dorëzuar aplikimin në përputhje të plotë me nenet 16 dhe 17 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Sipas Panelit, KQZ-ja është e obliguar të certifikojë çdo subjekt që plotëson kriteret ligjore.

Në arsyetimin e tij, PZAP-ja ka sqaruar se moscertifikimi i Listës Serbe ishte bërë pa konsensus të nevojshëm dhe se njoftimi i KQZ-së ishte në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Për këtë arsye, Paneli ka urdhëruar që Lista Serbe dhe kandidatët e saj të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.

Në lidhje me këtë vendim anëtari i KQZ-së nga radhët e VV-së, Sami Kurteshi, tha se dy përfaqësuesit e VV-së në KQZ nuk do të paraqesin ankesë, por vendimi përfundimtar nëse do të ketë një apelim në Gjykatën Supreme i takon subjektit politik, Lëvizjes Vetëvendosje.

“PZAP-ja ka marrë një vendim dhe ne si anëtarë të KQZ-së, dy përfaqësues të VV-së kemi vendosur të mos bëjmë aneks. Por ne nuk e dimë se si do të vendos subjekti. Sepse ajo është çështje që vendos subjekti. Në dy anëtarët e KQZ-së do të votojmë kundër certifikimit të Listës Serbe.

E konsiderojmë që nuk i ka shqyrtuar të gjitha rrethanat. Të gjitha faktet, të gjitha dëshmitë, por është mbështet vetëm në një pjesë formale.

Ne nuk do të paraqesim ankesë. Por nuk e dimë nëse VV-ja do të paraqesë ankesë…”, ka thënë Kurteshi.

Aksident në Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë përfundon në liqen

0

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në Norvegji, ndërsa një autobus me rreth 60 persona në bord ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një liqen.

Alarmi ra në orën 14:02 me orën lokale në E10 në komunën Hadsel, rreth 30 kilometra në juglindje të qytetit Svolvær, në veri të vendit. Ekipet e shpëtimit po punojnë për të gjetur pasagjerët në autobus.

Sipas autoriteteve lokale si pasojë e aksidentit ka viktima. Të dhënat e para bëjnë të ditur se të paktën 3 persona kanë humbur jetën, ndërsa 4 persona janë plagosur rëndë.

Sipas policisë lokale, në bordin e autobusit ndodheshin gjithsej 58 pasagjerë, duke përfshirë shtetas të huaj të 8 kombësive të ndryshme.

Shefi i policisë së qarkut Nordland, Bent Are Eilertsen, duke theksuar se identifikimi i personave nuk është një proces i lehtë, shtoi se nuk ka listë të pasagjerëve të autobusit që doli nga rruga. Mes të plagosurve lehtë janë pesë shtetas kinezë, sipas raporteve nga ambasada e Pekinit në Oslo.

Sipas informacioneve të dhëna nga policia norvegjeze dhe të cituara nga media VG, autobusi doli nga rruga dhe përfundoi në liqenin Asvatnet, pranë Raftsundet.

Megjithatë, operacionet e shpëtimit janë penguar nga kushtet e këqija të motit, raportojnë mediat norvegjeze. Madje, ditët e fundit zona është goditur nga moti i fortë i keq.

Nordlandssykehuset, spitali kryesor i rajonit, ka ngritur alarmin për aksidentin dhe po përgatitet të mirëpresë pacientët që vijnë. “Helikopterët e shpëtimit nga Bodo dhe Tromso, si dhe shërbime të tjera emergjente dhe Kryqi i Kuq, u dërguan në vendngjarje”, tha Jan Eskil Severinsen, nga Qendra Norvegjeze e Koordinimit të Shpëtimit, i intervistuar nga transmetuesi publik norvegjez, Nrk.

Autobusi i përfshirë në aksident është i kompanisë së transportit Boreal, siç konfirmohet nga një menaxher i kompanisë.

Abdixhiku: LDK do të mbetet shtëpia e shpresës për Kosovën e mundësive

0

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka treguar për takimin që e ka mbajtur me kryesinë e partisë, si dhe kryetarët e degëve të LDK-së.

Ai ka thënë se në këtë takim, kanë finalizuar orarin elektoak, agjendën zgjedhore.

“Mbajtëm takimin e Kryesisë dhe Kryetarëve të Degëve. Finalizuam orarin elektoral, finalizuam agjendën zgjedhore, shtabin e përgatitjet e nevojshme për hapjen e madhe”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se është momentum i mirë, unitet e përkushtim, që i duhet LDK-së.

Mund të jetë një imazh i 8 persona, ndriçimi dhe tabelë

Postimi i plotë:

Mbajtëm takimin e Kryesisë dhe Kryetarëve të Degëve.

Finalizuam orarin elektoral, finalizuam agjendën zgjedhore, shtabin e përgatitjet e nevojshme për hapjen e madhe!

Momentum i mirë! Unitet e përkushtim siç na duhet tani! I falenderova për angazhimin në ‘Turneun e Ndryshimit’, u kërkova angazhim monumental në një moment historik për vendin.

LDK-ja është dhe do të mbetet shtëpia e shpresës për të gjithë ata që besojnë në Kosovën e mundësive, dinjitetit dhe mirëqenies. Ndryshimi po vjen – dhe së bashku do ta sjellim këtë ndryshim më 9 shkurt!

Bëhu ndryshimi!

Gjendja aktuale në pikat kufitare me Kosovën

0

Mërgimtarët kanë nisur udhëtimin drejt Kosovës për të kaluar pushimet e fundvitit.

Në hyrje bashkatdhetarët po presin më shumë minuta, ndërsa në dalje po presin më pak orë.

Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritja për të hyrë nga Kosova këtë të mërkure nga pika kufitare me Serbinë në Merdare është 3 deri në 5 minuta e për të dal nga Kosova përmes kësaj pike, qytetarët po presin nga 3 minuta.

Pritje deri në 30 minuta ka edhe në pikën kufitare Dheu i Bardhë, ndërsa për të dalë nga Kosova duhet të pritet 20 minuta.

Dy persona shoqërohen në polici për krime ekonomike në Graçanicë

0

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës sot ka zhvilluar një operacion policor në komunën e Graçanicës. Nga ky operacion dy persona janë shoqëruar në polici për intervistim.

Një aksion policor në komunën e Graçanicës ka rezultuar me arrestimin e dy zyrtarëve të Departamentit të Kadastrës, kanë konfirmuar për RTK2, nga Policia e Kosovës.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, më saktësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e rendit, kanë kryer një aksion policor në komunën e Graçanicës. Ky aksion deri më tani ka rezultuar me arrestimin. të dy të dyshuarve për intervistim dhe procedurë të mëtutjeshme policore. Pas përfundimit të aksionit do të njoftohen informata shtesë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

“Është punë e vetë-inicuar e zyrtarëve individualë”, tha për media para ndërtesës së komunës kryetarja e Komunës së Graçanicës, Ljiljana Shubariq.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, duke komentuar aksionin e Policisë së Kosovës në Komunën e Graçanicës, më saktësisht në Departamentin e Kadastrit, ka deklaruar se deri më tani ka pasur shumë polemika në punën e këtij departamenti.

“Kam pasur rezerva për mënyrën e funksionimit të tyre, sepse më duket se qytetarët nuk janë asnjëherë prioriteti i tyre i parë. Ne vetë, disa herë kemi pasur disa sfida në komunikimin me ta, por në fund e kemi zbutur sepse kemi pasur disa mekanizma ligjorë që mund t’i përdorim për t’i detyruar ata të bëjnë punën e tyre siç duhet. Ajo që kam parë, nëse është e vërtetë, nuk do të doja që disa zyrtarë të thjeshtë, punëtorë, ndoshta për shkak të vendimeve të mundshme politike, të zbulonin se janë kryer disa akte, se fajtorët e vërtetë, pra drejtorët janë të mbrojtur. apo jo i sanksionuar. Është shumë herët për të pretenduar diçka, do të flas me disa nga kolegët e mi gjatë ditës për të dëgjuar se cilat janë arsyet e vërteta, çfarë mund të pritet si një përmbledhje e asaj që po ndodh tani”, tha ai.

Rrëzimi i avionit në Kazakistan, zbardhen mesazhet dramatike të pilotit me kullën e kontrollit

0

Një raketë ruse tokë-ajër ose copëza të saj bënë që të rrëzohej avioni i nisur nga Azerbajxhani në Aktau, të mërkurën.

Kështu pretendojnë burime të qeverisë së Azerbajxhanit, të cilët shprehen se raketa u lëshua gjatë aktivitetit të droneve ajrore mbi Grozny dhe fragmente të saj goditën avionin me numër fluturimi 8432.

Madje nga qeveria azerbajxhanase pretendojnë se avioni i dëmtuar nuk u lejua nga autoritetet ruse të ulej në asnjë aeroport pavarësisht kërkesave të pilotëve për të bërë një ulje emergjente në tre aeroporte ruse. Ata besohet se janë urdhëruar të fluturojnë përtej Detit Kaspik për në Aktau të Kazakistanit.

Harta tregon tre aeroportet (tre rrathët e kuq) në të cilët është bërë kërkesa nga pilotët për një ulje emergjente, përpara se avioni (në rrethin e verdhë) të vazhdonte më në fund rrugën për në Aktau.

Sipas dëshmive, sistemet e navigimit GPS të avionit ishin bllokuar gjatë gjithë rrugës mbi det. Në total, 38 pasagjerë u vranë dhe 29 të tjerë shpëtuan kur avioni u rrëzua pranë qytetit Aktau.

Rusia nëpërmjet zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov pretendon se hetimi për shkaqet e rrëzimit të avionit është duke vazhduar dhe është e gabuar të spekulohet para se të përfundojë. Ndërkohë, NATO kërkoi sot një hetim të plotë për shkaqet e rrëzimit të avionit të Azerbajxhan Airlines.

Ndërkohë mediat kanë publikuar edhe mesazhet e fundit të pilotit përpara se avioni të rrëzohej.

“Po humb kontrollin“, është shprehur piloti përpara se Embraer të rrëzohej në Kazakistan në ditën e Krishtlindjeve, sipas Daily Mail.

Në të njëjtën kohë, pasagjerët kanë bërë video-telefonatën e fundit me të dashurit e tyre pak para tragjedisë.

Dialogu mes pilotit dhe kullës së kontrollit përpara rënies së avionit:

8:12

Piloti: “Të dy GPS-të humbën. Ne kemi nevojë për udhëzime për t’u kthyer në aeroportin e ngritjes në Baku.”

8:16

Piloti: “Kemi humbje të kontrollit, përplasje me zogj në kabinë. Përplasje në kabinë (e pakuptueshme)…”

Kulla e Kontrollit: “AXY8243, kuptojmë. Për çfarë lloj ndihme keni nevojë?”

Piloti: “Do të kthehemi në Baku”.

Por në orën 8:17, piloti njoftoi se ai “po shkonte për në Mineralnye Vody” – një fushë ajrore në Rusinë jugore.

Piloti: “Po shkojmë në Mineralnye Vody”.

Kulla e Kontrollit: “Kryeni rrotullimin majtas”.

Piloti: “Nuk mund të ekzekutohet, humbëm kontrollin!”

8:19

Piloti: “Nuk mund ta mbaj 150 (nyje shpejtësie). Ne kemi presion të lartë në kabinë”.

Kulla e Kontrollit: “AXY8243, kuptohet.”

8:20

Piloti: “Kthesë majtas 360 gradë, po humbasim kontrollin.”

8:21

Piloti: “Do të shkojmë në Makhachkala”. (një fushë ajrore ruse në Detin Kaspik)

8:22

Piloti: “Tani kemi një problem hidraulik.”

8:24

Piloti: “Nuk kemi shpallur gjendje të jashtëzakonshme”.

Kulla e Kontrollit: “Mezi të dëgjojmë… në çfarë lartësie je?”

Avioni më pas u zhduk nga radarët për 37 minuta përpara se të bënte përpjekjen e tij të fundit për t’u ulur.

Izraeli godet objektivat e grupit Houthi në të gjithë Jemenin

0

Ushtria izraelite njoftoi nisjen e sulmeve ajrore kundër objektivave Houthi në Jemen, duke përfshirë aeroportin e kryeqytetit Sanaa, në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme me raketa dhe dron të grupit të mbështetur nga Irani, të cilat janë përshkallëzuar javët e fundit.

Në një deklaratë, IDF tha se avionët izraelitë sulmuan objektivat përgjatë bregut perëndimor të Lindjes së Mesme, si dhe më tej në brendësi.

Izraeli tha se kishte në shënjestër “infrastrukturën e përdorur nga regjimi terrorist Houthi për aktivitetet e tij ushtarake” në Aeroportin Ndërkombëtar të Sanaa, dy termocentrale të mëdha dhe infrastrukturën në portet Hodeida, Salif dhe Ras Kanatib.

“Këto infrastruktura u përdorën nga regjimi terrorist Houthi për të transferuar armë iraniane në rajon dhe për hyrjen e zyrtarëve të lartë iranianë”, tha IDF në një deklaratë.

Sulmet izraelite erdhën pasi një raketë e lëshuar nga Jemeni shkaktoi sirenat e sulmit ajror në të gjithë Izraelin qendror të mërkurën herët, duke dërguar miliona banorë në kërkim të mbulimit për natën e dytë me radhë.

Ushtria tha se raketa u kap përpara se të kalonte në territorin izraelit, por policia raportoi se copëzat nga përgjimi ranë në disa qytete.

Ishte hera e katërt në një javë që zjarri nga rebelët Houthi të Jemenit ndezin sirenat në Izrael. Të shtunën, 16 persona u plagosën kur një raketë goditi një shesh lojrash në Tel Aviv pasi sistemi i mbrojtjes ajrore të Izraelit nuk arriti ta kapte.

Në fillim të javës së kaluar, avionët izraelitë goditën kryeqytetin e Jemenit të kontrolluar nga rebelët dhe një qytet port, duke vrarë nëntë persona. Izraeli tha se sulmet ishin në përgjigje të sulmeve të mëparshme nga Houthi.

Të martën, ministri i jashtëm i Izraelit kërkoi një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të dënuar sulmet Houthi, si dhe aleatët iranianë të grupit për gjoja sigurimin e rebelëve me armë.

Dëshmoi 5 orë në SPAK, Veliaj: U denoncova nga një person që nuk ekziston

0

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak ka dhënë sqarime mbi paraqitjen e tij në SPAK gjatë ditës së sotme.

Ai sqaroi se ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme si bashkëpunëtor për një kallëzim që është bërë nga një person që nuk ekziston, kësisoj ai e quajti të gjithë këtë që po ndodh një kurth.

“Për të gjithë ata qytetarë që duan ta dëgjojnë… Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni, që është një personazh që nuk ekziston. Për të na kthyer mallin e letrave anonime! Unë e kuptoj se disa njerëz që nuk na mundin dot në betejë, në zgjedhje janë kthyer në zanatin e letrave anonime. Nesti Angoni nuk ekziston, të gjithë e dimë kë përfaqëson ky emër, çfarë mentaliteti përfaqëson dhe çfarë kulture linçuese përfaqëson ky stil. Megjithatë, duke qenë se kryetari i bashkisë ka në zotërim të gjithë regjistrin civil dhe mund të verifikojë qartazi se ishte një kurth i sajuar, kam qenë bashkëpunues. Do ishte shqetësuese nëse kryetari i bashkisë, edhe për kurthe anonime nuk paraqitet“, tha Veliaj.

“E di gjithë Tirana ku jetoj unë, ku banoj unë. Ku isha përpara zgjedhjeve, ku vazhdoj pas zgjedhjeve dhe ku do jem deri në fund të kësaj detyre. Kështu që unë hyj te ajo rracë politikanësh që nuk i thotë SPAK-ut skap kur s’i intereson, dhe i thotë SPAK kur i intereson për kundërshtarët e vet. As nuk kam bërë anti-protesta, as letër anonime se vij nga një brez jo i letrave anonime. Këtu do jemi, në Maj do ju mundim! Me gjithë letra anonime e kurthe!”, përfundoi Veliaj.

A ia pa Kosova sherrin subvencioneve për pajisjet efiçiente?

0

Deri në tetë orë pa energji elektrike janë përballur dy pronarë të kompanive prodhuese nga Ferizaj dhe Malisheva. Kjo situatë ka vështirësuar procesin e prodhimit të tyre dhe ka rritur shpenzimet.

Me këtë situatë, Qazim Mustafa, pronar i një fabrike për prodhimin e mobileve në Ferizaj, po përballet prej dy javësh. E njëjta gjendje ishte edhe të enjten, më 26 dhjetor.

“Na ka lodhur kjo situatë. Në fundvit kemi kërkesa të mëdha, por nuk mund t’i plotësojmë. Klientët presin produkte, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Unë dhe 13 punëtorët qëndrojmë pranë një stufe me dru që kemi blerë për t’u ngrohur kur nuk ka rrymë”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Probleme të ngjashme po përjetojnë edhe banorët dhe bizneset në komunën e Malishevës, që nga fillimi i dhjetorit.

Shqipron Kastrati, menaxher financiar në një fabrikë që merret me prodhimin dhe përpunimin e gurit natyral dhe të mermerit, tha se situata ka detyruar të gjithë punonjësit të shkojnë në pushim.

“Reduktimet zgjasin nga dy deri në tetë orë. Puna me gjenerator është e papërballueshme financiarisht sepse edhe prodhimi arrin vetëm 30 për qind të kapacitetit të zakonshëm. Për këtë arsye, 20 punëtorët janë në pushim deri në javën e dytë të janarit”, shtoi Kastrati.

ZRRE: Kosova paguan mbi një milion euro në ditë për importin e rrymës

Ditët e fundit, për shkak të temperaturave të ulëta, është rritur konsumi i rrymës, ndërsa institucionet energjetike në vend po apelojnë vazhdimisht tek konsumatorët për kursim.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, situata më e vështirë ka qenë në komunat e Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila është përgjegjëse për prodhimin e energjisë elektrike në vend, operon me dy termocentrale të vjetruara që prodhojnë energji nga thëngjilli. Megjithatë, Kosova nuk arrin të plotësojë nevojat e mbi 1.5 milion banorëve të saj vetëm me prodhimin vendor.

Kjo korporatë ka kapacitet prodhimi deri në 800 megavat në orë, ndërsa pjesa tjetër e nevojshme për plotësimin e kërkesës mbulohet përmes importit.

Ditët e fundit, Kompania Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë (KEDS) dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) kanë raportuar për një konsum rekord prej 1.500 megavat në orë.

KEDS nuk ka dhënë përgjigje për REL-in lidhur me arsyet e ndërprerjes, por përmes një deklarate për media ka theksuar se “prodhimi vendor nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar këtë kërkesë.”

“Një sasi e madhe e energjisë po importohet me çmime shumë më të larta krahasuar me prodhimin vendor”, thuhet në një deklaratë të lëshuar më 23 dhjetor, pa specifikuar vlerën e importit.

Ndërkohë, ZRRE-ja ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se gjatë këtij muaji, vlera e importit të energjisë ka arritur mbi një milion euro në ditë, duke tejkaluar 35 milionë euro në total për këtë periudhë.

Çfarë po e mbingarkon rrjetin energjetik?

Qytetarët nuk shqetësohen për nivelin e konsumit apo burimin e energjisë – ata kërkojnë furnizim të rregullt dhe pa ndërprerje, thotë Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP). Sipas tij, kjo situatë ka çrregulluar jetën e përditshme të qytetarëve dhe bizneseve, duke sjellë pasoja të mëdha.

Ai shton se edhe këtë dimër institucionet energjetike kanë qenë të papërgatitura, ndërsa masat e ndërmarra vitet e fundit kanë çuar në rritje të konsumit, duke mbingarkuar rrjetin energjetik.

“Subvencionimi i pajisjeve elektrike efiçiente ka rezultuar që shumë konsumatorë të ndryshojnë mënyrat e ngrohjes, duke kaluar në ngrohje me energji elektrike, qoftë përmes investimeve në klima apo pompa termike. Kjo ka shtuar kërkesën për energji në sistem, sepse qytetarët kanë kaluar nga ngrohjet me lëndë djegëse tradicionale në ngrohje me rrymë”, thekson ai.

Ministria e Ekonomisë e Qeverisë së Kosovës, që nga viti 2022, disa herë ka ndarë subvencione për qytetarët që blejnë pajisje efiçiente për ngrohje, përfshirë pompa termike, kondicionerë/klima efikase, si dhe kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) dhe stufa individuale me biomasë. Thirrja e fundit u bë edhe në shtator të këtij viti.

Kjo ministri nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë lidhur me numrin e përgjithshëm të përfituesve.

Megjithatë, në muajin janar të këtij viti, ajo ka njoftuar se gjatë dy viteve të fundit janë realizuar pagesa për mbi 15 mijë familje, në një vlerë rreth shtatë milionë euro.

Sipas Dardan Abazit, këto subvencione kanë qenë të paanalizuara mirë, duke rezultuar që “kanë mbingarkuar rrjetin energjetik, i cili është i vjetruar”.

KEDS-i, sipas kontratës së privatizimit, ka pasur për obligim të investojë në projekte kapitale për modernizimin dhe digjitalizimin e rrjetit. Por, deri më tani, nuk ka dhënë përgjigje se sa është vlera e investimeve në këto projekte.

Distribucioni dhe Furnizimi me Energji Elektrike të Kosovës është privatizuar në vitin 2013 nga konsorciumi turk “Çalik-Limak” për një çmim prej 26.3 milionë eurosh.

Në marrëveshjen e privatizimit thuhet se “blerësi dhe investitori kolektivisht pajtohen të investojnë në rrjet 300 milionë euro gjatë një periudhe 15-vjeçare”.

Sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), kjo kompani investon mbi 20 milionë euro në vit, investime që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin dhe fuqizimin e rrjetit të shpërndarjes.

Organizatat joqeveritare që merren me çështje energjetike vlerësojnë se investimet në energjinë e ripërtëritshme janë alternativa e vetme për të zgjidhur problemin e mungesës së energjisë elektrike. /REL