spot_img
E premte, 24 Prill, 2026
16:20
Home Blog Page 983

Tahiri thotë se humbësi i këtyre zgjedhjeve është LVV-ja

0

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, fajësoi Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Secili deputet e ka përgjegjësi kushtetuese të jetë në seancën e Kuvendit dhe t’i japë drejtim formimit të organeve të Kuvendit të Kosovës, si kryesia dhe kryetari. Këtu nuk jemi duke bllokuar nga partitë e tjera, por jemi të bllokuar nga partia e parë”, tha ai.

“Duke qenë se është në të drejtën e saj për të bërë propozime dhe duke pasur parasysh që nuk ka shumicë parlamentare këta kanë vendosur ta bllokojnë situatën. Asnjë parti nuk mund ta bllokojë, përpos partisë së parë. Ata janë që e kanë bllokuar dhe atyre iu takon të marrin veprime. Ne kemi hapur rrugë tashmë disa herë që janë disa kandidatë që mund të votohen nga PDK. Në këtë rast Kurti ka vendosur ta bllokojë këtë situatë. Humbësi i këtyre zgjedhjeve është VV-ja, sepse shihet që tashmë këta nuk kanë partner të qeverisin dhe duke parë matjet e opinionit publik janë partia që ka rënien më të madhe. Nuk janë njerëz që të bashkëpunojnë për të mirën e qytetarëve”, tha Tahiri.

Berisha: Liderët tanë presin t’i kapësh për krahu që t’u tregosh çka të bëjnë

0

Deputeti nga radhët e AAK-së, Bekë Berisha, ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen aktuale politike në vend, duke kritikuar qasjen e liderëve ndaj udhëheqjes dhe mungesën e bashkëpunimit mes tyre.

“Liderët politikë janë mësuar me i kap përkrahu e me iu kallxu çka me bë. Nuk ka iniciativë, nuk ka zotësi, nuk po shkojmë kah mirëkuptimi, por kah përçarja,” u shpreh Berisha.

Ai tha se situata e tanishme nuk është e qëndrueshme dhe kërkoi reflektim për të gjetur një rrugëdalje.

“Këtyre rasteve u vjen fundi, duhet me u ndal dhe me e këqyrë qysh me pasë rrugëdalje sepse i ka humbur kuptimi,” deklaroi deputeti i AAK-së.

Murati alarmon se vendi mund t’i humbë 90 milionë euro të BB nëse Kuvendi s’konstituohet deri në shtator

0

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka alarmuar se 90 milionë euro që Banka Botërore i ka alokuar për Kosovën, mund t’i merren vendit dhe t’i jepen një shteti tjetër nëse nuk kjo nuk ratifikohet deri në shtator.

Ai ia la fajin partive tjera për moskonstituimin e Kuvendit, pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur ndonjë marrëveshje politike, siç kishte thënë, për ta zhbllokuar ngërçin politik.

“Janë 90 milionë euro të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat po presin ratifikimin nga Kuvendi që nga muaji maj i vitit të kaluar. Ky lloj financimi është i veçantë sepse ka kamatë 0%. Shumë shtete do të dëshironin të përfitonin nga një financim i tillë, por Kosova është ndër shtetet e rralla që ka përfituar falë reformave të ndërmarra dhe menaxhimit të mirë të financave publike. Partitë opozitare gjatë legjislaturës së kaluar kishin refuzuar të votonin ratifikimin, ndërsa tash po e pamundësojnë edhe konstituimin e legjislaturës së re duke mos marrë fare pjesë në votim, duke prolonguar kështu ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”, shkroi Murati.

“Por Banka Botërore e as bota nuk mund të na presin pafundësisht. 🚨 Nëse marrëveshja për 90 milionë euro me kamatë 0% nuk ratifikohet deri në shtator, ekziston rreziku shumë i lartë që këto mjetet t’i merren Kosovës dhe ti jepen një shteti tjetër”, shtoi ai.

Murati thotë se “është jetike që opozita të reflektojë dhe të mundësojë konstituimin e Kuvendit, e pastaj edhe të votojë këtë marrëveshje”.

“Inatet politike nuk do të duhej t’i kushtonin shtetit tonë”, shkroi ai.

Nga banka e të akuzuarës në garë për kryeparlamentare – Shtyhet gjyqi ndaj Albulena Haxhiut, vazhdon beteja në Kuvend

0

Paraditen e sotme, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është paraqitur në Gjykatë si e akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, një rast që lidhet me kohën kur ajo ishte pjesë e opozitës, raporton mediumi storm.

Seanca gjyqësore është shtyrë për një datë tjetër, për shkak të mungesës së kushteve për zhvillim normal të saj.

Ndërkohë, pasdite, Haxhiu pritet të marrë pjesë në seancën plenare të Kuvendit, ku në rend dite është edhe zgjedhja e kryeparlamentarit. Ky post synohet nga Haxhiu që nga seanca e parë konstituive, por deri tani ajo nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për ta marrë këtë pozitë.

Situata nënvizon kontrastin e fortë në të cilin ndodhet politikania – nga përballja me drejtësinë për veprimet e saj si aktiviste opozitare, në përpjekjen për të marrë një nga funksionet më të larta shtetërore.

Përveç Haxhiut, të akuzuar janë edhe Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj, të cilët akuzohen se në shkurt të 2016-tës kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, duke e kryer veprën penale “armëmbajtje pa leje”.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, kundërshtonin marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë-Serbi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Shqiptarët në Iran mes sfidave: Sa janë dhe si po jetojnë?

0

Me sulmet amerikane në bazat bërthamore të Iranit konflikti merr një trajtë tjetër dhe të paparashikuar duke komplikuar natyrshëm aspektet e sigurisë për ata që jetojnë atje.

Në Iran jetojnë dhe punojnë disa shtetas shqiptarë por zyrtarisht nuk dihet numri i saktë i tyre.

Në të shkuarën Republika Islamike e Iranit për çështje konsullore mbulohej prej ambasadës tonë në Ankara.

Qeveria Shqiptare në Shtator 2022 ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Atë kohë u la 48 orë kohë diplomatëve iranian të largoheshin duke i vënë kyçin selisë së tyre diplomatike në Tiranë.

Gazetari Top Channel Muhamed Veliu përmes Facebook, bisedoi me një shqiptarë i cili ka shumë vite që jeton në Iran.

I pyetur nëse njihte shqiptarë të tjerë atje ai dha këtë përgjigje.

“Ka shqiptarë, janë dhe dy familje të tjera. Katër të tjerë që janë martuar me iraniane”.

Top Channel mëson se janë po ashtu edhe disa shqiptarë të cilët janë punësuar prej vitesh në televizionin shtetëror të Iranit.

Njëri prej tyre me origjinë nga Skrapari i martuar me një vajzë shqiptare nga Maqedonia e Veriut.

Burime nga qeveria shqiptare i thanë Top Channel, se deri më tani nuk është shënuar asnjë kërkesë nga shtetas shqiptarë për tu larguar nga Irani.

Megjithatë jo zyrtarisht mësohet se disa shqiptarë të cilët janë momentalisht në Iran, kanë shprehur dëshirën të largohen.

Mes tyre një vajzë me origjinë nga Burreli e martuar me një shtetas iranian.

Ajo jeton në një qytet afër Teheranit dhe miqve të saj në Shqipëri u ka thënë, se në të njëjtin qytet jeton edhe një familje tjetër shqiptarësh me pesë anëtarë.

Në kushtet kurë Shqipëria nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin, çdo lloj kërkese evakuimi të shtetasve shqiptarë, nuk do të jetë e lehtë.

Megjithatë do të përdoren kanale diplomatike dhe humanitare me shtetet mike të vendit tonë fqinje me Iranin.

Panairi i Parë i Librit Shqip në Preshevë

0

Në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë u çel me ceremoni solemne Panairi i Parë i Librit Shqip, një ngjarje që cilësohet si historike për kulturën dhe identitetin shqiptar në Luginën e Preshevës.

Përgjatë dy ditëve (21-22 qershor) kjo festë e librit bashkoi shkrimtarë, lexues dhe botues nga të gjitha trojet shqiptare.

“Panairi i Parë i Librit Shqip në Preshevë, falë mbështetjes së Qeverisë Shqiptare”, shkruan Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Rama u shpreh se “së shpejti, një tjetër marrëveshje bashkëpunimi enkas për Preshevën, që do të mundësojë projekte e programe shkëmbimi profesionale, ture e eksperienca krijuese, mbështetje teknike e promovim traditash, arti, kulture e trashëgimie”.

Ky panair vjen si një mundësi për të nderuar autorët e mëdhenj, ata që me fjalën e tyre e mbajtën gjallë gjuhën shqipe, që e ndërtuan identitetin tonë kulturor me mendim të thellë, me ndjenjë dhe me kurajë.

Panairi i Parë i Librit Shqip në Preshevë ishte edhe një ftesë për autorët e rinj, për ata që vijnë me tema të reja, me një gjuhë që flet për realitetin e sotëm dhe për ëndrrat e brezit të ri.

Tym i zi nga blloku i Kosovës A, Arifi: Duhet të arrestohet kushdo që e ka lëshu pa filtrat e ajrit

0

Tym i trash i zi është duke u shkarkuar nga blloku i Kosovës A në Obiliq, për çka ish-diplomati kosovar, Avni Arifi, ka reguar me mëngjes se “kushdo” që ka dhënë leje për lëshimin e tj pa filtrat e ajrit “duhet të arrestohet”.

“Kushdo që ka dhanë leje me u lëshu ky bllok i Kosovës A pa filtrat e ajrit, ish dasht me u arrestu. Kqyrne vet çfarë helmi po na jepet pa u filtru, veç mos me pranu që KEK ka kolapsu. Kjo qeverisje po shndërrohet çdo ditë në krim më të madh e më të madh”, tha ai.

Deklarimi i koalicioneve, sot përfundon afati zyrtar

0

Gjatë ditës së sotme (23 qershor) do të përfundojë afati për partitë politike të cilat dëshirojnë të formojnë koalicionet e tyre për të garuar në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Mirëpo, vetëm 2 parti politike e kanë njoftuar KQZ-në se në këto zgjedhje do të garojnë së bashku.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se deri të premten vetëm Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan me emrin “Koalicija Vakat” kanë njoftuar se do të kërkojnë certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit.

Sipas KQZ-së, më 23 qershor do të përfundojë edhe afati për partitë politike për të njoftuar KQZ-në se nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje.

Për 4-vjetët e Qeverisë “Kurti” u shpenzuan 16 milionë euro për vetura me qira te “AutoMita” dhe “Mercom Company”

0

Mbi 16 milionë euro kanë shpenzuar institucionet qendrore dhe lokale për blerje të veturave të reja dhe marrje me qira të veturave vetëm tek dy operatorë privat: AutoMita dhe Mercom Company.

Ky shpenzim enorm i buxhetit të vendit për luksin e zyrtarëve shtetëror ka ndodhur gjatë periudhës së fundit 4-vjeçare, sa ka qenë në krye të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.

Kurti sa ka qenë në opozitë ka qenë kritik i ashpër i pushteteve të kaluar për shpenzimet milionëshe të buxhetit të shtetit në vetura zyrtare.

Madje, disa herë kishte deklaruar se ne Qeverinë e tij gjërat do të ndryshojnë.

“Xhipat e zi do të kenë vetëm prokurorët”, deklaronte shpeshëherë Kurti si opozitar, por premtim ky që nuk u mbajtë asnjëherë gjatë pozitës së tij si kryeministër i Kosovës.

Portali FrontOnline ka hulumtuar tenderët që i ka fituar kompania “Automita”, e cila është importues dhe distributor i veturave të markës “Renault”, “Nisan” dhe “Dacia” në Republikën e Kosovës, dhe sipas dokumentacioneve të gjetura del se na viti 2021 dhe në gjysmën e parë të vitit 2025 “AutoMita” ka përfituar kontrata nga institucionet në vlerë prej rreth 9.3 milionë euro.

Përpos kompanisë “Automita”, kontrata të ngjashme në vlerë prej 6.8 milionë euro ka marrë edhe kompania “Mercom”.

Këtë të fundit gjatë muajit prill të këtij viti e kishin vizituar kryeministri Kurti dhe ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Përpos kontratës për blerje dhe marrje me qira të veturave “Mercom” ka përfituar edhe grante nga Ministria e Tregtisë.

FrontOnline i ka dërguar pyetje Ministrisë që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari se sa është vlera e granteve që ka përfituar nga shteti “Mercom Company”, por nga ky dikaster qeveritar nuk kanë kthyer kurrfarë përgjigje në adresë të portalit.

As “AutoMita” e as “Mercom Company” nuk janë përgjigjur në pyetjet për kontratat që i kanë fituar nga institucionet shtetërore të Kosovës gjatë periudhës 4-vjeçare.

Tenderët e fituar nga Auto Mita për furnizim me automjete te reja dhe dhënie me qira të Automjetet për Institucionet e Kosovës gjatë periudhës 2021-2025

KRU “Bifurkacioni” SH.A. – Furnizim me Automjete të transportit për udhëtarë LOT I – Furnizim me 1 veturë, LOT II – Furnizim me 3 (tri) vetura – Vlera e kontratës: 111,620 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 19.05.2025.

Agjencia Qendrore e Prokruimit – Vetura me qira për nevojat e Institucioneve të Kosovës – Vlera e kontratës: 3,497,040.00 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 27.03.2025.

KRU ” Hidrodrini ” SH.A. – Furnizimi me automjete për e ndarë në 2 LOT– Vlera e kontratës: 126,391.97 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 25.02.2025.

Agjencia Qendrore e Prokurimit – Vetura me qira për nevojat e institucioneve të Kosovës – Vlera e kontratës: 1,107,000 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 30.01.2025.

Ndërmarrja Publike Lokale Prishtina Parking SH.A. – Marrje me qira të automjeteve – Vlera e kontratës: 79,020 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 12.12.2024.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit GJAKOVA SH.A.- Furnizim me dy kamioneta për nevojat e mirëmbajtjes – Vlera e kontratës: 75,680 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 17.11.2024.

Agjencia Qendrore e Prokurimit – Furnizim me vetura për institucionet e Republikës së Kosovës – Vlera e kontratës: 600,610 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 06.11.2024

Komuna e Prizrenit – Blerja e veturës Kombi-Bus për shtëpinë e pleqve në Prizren – Vlera e kontratës: 36,840 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 19.09.2024.

Komuna e Pejës – Blerja e kamionetave për ekipin komunale të pastrimit – Vlera e kontratës: 38,900 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 29.08.2024.

NPL Gjelbër SH.A. – Furnizim me Vetura Pick-Up – Vlera e kontratës: 44,400 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 20.05.2024.

KRU”Bifurkacioni”SH.A. – Furnizim me 3 automjete të reja – Vlera e kontratës: 65,940 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 03.05.2024.

Agjencia e Statistikave e Kosovës –
“Vetura me qira”- Vlera e kontratës: 119,175 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 15.03.2024.

Ujësjellësi rajonal Prishtina – Furnizimi me eskavator, kamioneta dhe rimorkio për bartje të eskavatorit – Vlera e kontratës: 136,860 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 05.02.2024.

R.U. Mitrovica SH.A. – Furnizim me Automjete – Vlera e kontratës: 123,100 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 12.01.2024.

Komuna e Istogut – Blerja e veturave për administratën komunale dhe zyrën e kryetarit – Vlera e kontratës: 71,670 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 15.12.2023.

Komuna e Pejës – Blerja e një veture për QKMF-në – Vlera e kontratës: 28,400 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 06.11.2023.

Agjencia Qendrore e Prokruimit – Vetura me qira – Vlera e kontratës: 1,197,507 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 06.11.2023.

KRU”Bifirkacioni”SH.A. – Blerja e 3 (tre) automjeteve të reja – Vlera e kontratës: 65,940 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 12.10.2023.

Agjencia Qendrore e Prokruimit – Vetura me qira – Vlera e kontratës: 197,880 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 03.10.2023.

Ministria e Kulturës – Marrja me qira e veturave për nevojat e MKRS-së dhe institucioneve në vartësi – 6,400 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 29.08.2023.

Komuna e Gjakovës – Marrja me qira e veturës për çerdhe – Vlera e kontratës: 1,320 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 29.08.2023.

Agjencia Qendrore e Prokurimit – Vetura me qira – Vlera e kontratës: 164,360 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 11.07.2023.

Komuna Skenderaj – LOT 1 – Blerja e automjeteve zyrtare për komunën e Skenderajt; LOT 2 – Blerja e automjeteve zyrtare për komunën e Skenderaj – Vlera e kontratës: 95,500 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 04.07.2023.

Ndërmarrja Publike Banesore – Marrja me qira e automjeteve – Vlera e kontratës: 118,620 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 16.05.2023.

Komuna e Junikut- Blerja e automjetit për nevojat e Komunës së Junikut – Vlera e kontratës: 19,790 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 12.05.2023.

Komuna e Pejës – Blerja e veturave LOT 1- Blerja e xhipave të vegjël për Administratën Komunale LOT 2- Blerja e një veture për QKMF-në – Vlera e kontratës: 109,960 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 20.04.2023.

Komuna e Prizrenit – Furnizim me një autoveturë për nevojat e Komunës gjegjësisht zyrës së Kryetarit në Komunën e Prizrenit – Vlera e kontratës: 44,900 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 30.03.2023.

Dogana e Kosovës – Furnizimi me automjete të reja – Vlera e kontratës: 174,200 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 13.03.2023.

Komuna Novobërdës – Furnizim me vetura për nevojat e komunës së Novobërdës- Vlera e kontratës: 29,980 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 09.12.2022.

Komuna Obiliqit – Blerja e veturave – Vlera e Kontratës – 37,780 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 14.10.2022.

Dogana e Kosovës – Furnizim me automjete të reja – Vlera e Kontratës: 709,920 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 13.02.2022.

Hidrogjeni Jugor – Furnizim me automjete zyrtare – Vlera e kontratës: 43,470. Kontrata është nënshkruar më: 20.01.2022.

Prishtina Parking – Furnizim me vetura përmes lizingut- 48,924 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 09.12.2021.

Komuna e Pejës– Blerja e automjeteve. Vlera e kontratës: 82,450 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 26.10.2021.

Komuna Zubin Potok – Furnizim me një automjet – Vlera e Kontratës: 19,940 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 22.10.2021.

Ndërmarrja Ibër Lepenc – Furnizim me dy automjete SUV 4×4 dhe një kamnionetë – Vlera e Kontratës- 104,460. Kontrata është nënshkruar më:31.03.2021.

Policia ndëshkon 1,782 shkelës trafiku brenda 24 orëve

0

Policia e Kosovës njofton se për 24 orë ka shqiptuar 1,782 gjoba në trafik.

Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, 1 aksident trafiku me fatalitet, 24 kanë qenë me lëndime, ndërsa 28 me dëme materiale.

Policia njofton se janë arrestuar 9 persona, ndërkaq 5 të tjerë janë dërguar në mbajtje.