spot_img
E diel, 26 Prill, 2026
10:38
Home Blog Page 986

Zjarri i Lindjes së Mesme – hiri bie edhe mbi Kosovë

0

Në kohën kur bota rri pezull nga përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme dhe pasojat e mundshme të një konflikti me përmasa globale, shtetet e vogla si Kosova gjenden përballë disa pyetjeve thelbësore: sa të përgatitura janë për të përballuar një krizë që mund t’i lëkundë themelet më të qëndrueshme të sigurisë ndërkombëtare, dhe çfarë rreziqesh konkrete u kanosen atyre?

Sipas ekspertit të sigurisë, Adrian Shtuni, natyra e një krize globale është e tillë që askush nuk mbetet imun ndaj pasojave të saj, por jo të gjithë preken njësoj.

“Kosova është e cenueshme përgjithësisht në mënyrë të moderuar, por krahasimisht më shumë sesa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, thotë ai, duke përmendur arsyet ekonomike, politike dhe të sigurisë.

Për ekspertin e politikave ndërkombëtare, Gëzim Visoka, armiqësia e vazhdueshme e Serbisë përbën kërcënimin më të madh për stabilitetin e Kosovës – një rrezik që, në kohë krizash globale, mund të amplifikohet dhe të shfrytëzohet nga aktorë me interesa destabilizuese.

Çka po ndodh në Lindjen e Mesme?

Që prej disa ditësh, Izraeli ka nisur sulme intensive ndaj Iranit. Qëllimi i tij i deklaruar është shkatërrimi i programit bërthamor iranian, të cilin e sheh si kërcënim ekzistencial për sigurinë e vet.

Irani ka reaguar me sulme ndaj objektivave izraelite dhe ka paralajmëruar përgjigje edhe më të ashpra ushtarake.

Në këtë rrëmujë është përfshirë edhe SHBA-ja, e cila ka goditur objektet bërthamore iraniane në Fordo, Natanz dhe Esfahan.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se “Irani, bullizuesi i Lindjes së Mesme, duhet të zgjedhë paqen. Nëse nuk e bën këtë, sulmi i ardhshëm do të jetë më i madh dhe më i lehtë”.

Irani është zotuar se do të hakmerret, duke e rënduar edhe më shumë situatën dhe duke e bërë krizën të paparashikueshme.

Pasojat ekonomike dhe sfidat e sigurisë për Kosovën

Adrian Shtuni, nga Qendra Ndërkombëtare kundër Terrorizmit, thekson se Kosova është veçanërisht e ndjeshme ndaj pasojave ekonomike që mund të shkaktojë kjo krizë.

Ai shpjegon se situata do të përkeqësohej ndjeshëm në rast se Irani vendos të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, nga kalon rreth 20 për qind e konsumit global të naftës dhe gazit natyror.

Për një vend si Kosova, i cili tashmë ka përjetuar një rritje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike me 16% këtë vit, “rritja e mëtejshme do të ishte një shok për ekonominë”, thotë Shtuni për Radion Evropa e Lirë.

Ai nënvizon se, me një ekonomi të mbështetur fort në importe dhe remitenca – të cilat përbëjnë rreth 13% të Prodhimit të Brendshëm Bruto – çdo tronditje në ekonominë globale do të përkthehej menjëherë në presion mbi familjet kosovare.

“Gjithashtu, fakti që Kosova ka një deficit tregtar të konsiderueshëm, që në dhjetor të vitit 2024 u rrit me 17.5% krahasuar me një vit më parë, e ekspozon atë akoma edhe më shumë ndaj një krize globale, që do të rriste jo vetëm çmimin e energjisë, por edhe të ushqimeve dhe mallrave të konsumit, që vendi kryesisht i importon”, thotë Shtuni.

Gëzim Visoka, profesor i Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Qytetit të Dublinit, ndan shqetësim të ngjashëm.

Ai thekson se krizat globale krijojnë vakume gjeopolitike që mund të shfrytëzohen nga aktorë destabilizues për të dobësuar Kosovën.

Visoka e sheh armiqësinë e vazhdueshme të Serbisë si “kërcënimin më të madh për stabilitetin e brendshëm të vendit”.

Ai, po ashtu, paralajmëron se varësia e theksuar e Kosovës nga prania ushtarake e NATO-s, e bën atë veçanërisht të cenueshme, në rast se Aleanca detyrohet të zhvendosë trupa drejt zonave më të nxehta të konfliktit global.

“Rreziqe të tjera mund të jenë sulmet e fshehta nga qeveri joperëndimore dhe grupe joshtetërore ndaj pranisë ushtarake të NATO-s dhe SHBA-së në Kosovë”, thotë Visoka për Radion Evropa e Lirë.

Në të njëjtën linjë, Shtuni shton se aktorët me qëllime jomiqësore ndaj Ballkanit Perëndimor, veçanërisht ata që tradicionalisht janë kundër anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE dhe NATO, mund të shfrytëzojnë amullinë e krizave globale për të destabilizuar rajonin.

Sipas tij, këto kërcënime synojnë dy pika të dobëta, Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën, duke instrumentalizuar përçarjet dhe tensionet ndëretnike në këto dy vende.

Mungesa e integrimit ndërkombëtar, pengesë për menaxhimin e krizave

Të dy ekspertët theksojnë se izolimi ndërkombëtar e bën Kosovën më të pambrojtur ndaj krizave globale.

Mungesa e anëtarësimit në OKB, BE apo Interpol, thonë ata, e përjashton vendin nga mekanizmat kolektivë të reagimit dhe mbështetjes ndërkombëtare.

Kjo, sipas Shtunit, “përbën pengesë për bashkëpunimin sa më të fortë dhe efikas në përballjen me terrorizmin apo krimin kibernetik – probleme që mund të shtohen nëse kriza në Lindjen e Mesme përshkallëzohet më tej”.

Edhe Visoka paralajmëron se, përderisa Kosova mbetet jashtë organizatave ndërkombëtare vendimmarrëse, ajo nuk ka mundësi reale të ndikojë në proceset globale apo të mbrojë interesat e veta.

“Zëri i Kosovës mbetet kryesisht i padëgjuar”, thekson ai.

Çfarë mund të bëjë Kosova?

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Qeverinë në detyrë të Kosovës për të pyetur nëse janë marrë masa konkrete për të mbrojtur ekonominë dhe sektorin e energjisë nga një krizë globale e mundshme, por nuk mori përgjigje.

Në këtë kontekst sfidues, ekspertët nënvizojnë nevojën urgjente për forcimin e institucioneve dhe për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.

Shtuni thekson se fakti që Kosova, edhe më shumë se katër muaj pas zgjedhjeve, nuk ka një kuvend të konstituuar dhe qeveri funksionale, e dobëson rëndë kapacitetin e saj për të përballuar sfidat e sigurisë.

Ai e quan këtë një “dobësi të vetëshkaktuar” nga mungesa e vullnetit politik.

“Kjo përbën çarmatosjen më të dëmshme të lidershipit në Kosovë, çarmatosjen nga përgjegjshmëria politike dhe mendimi praktik për zgjidhje kompromisi. Nëse nuk ka vetëdijesim të shpejtë, kjo krizë rrezikon të sjellë pasoja të kushtueshme dhe afatgjata për vendin”, thotë Shtuni.

Visoka thekson, gjithashtu, rëndësinë e ndërtimit të qëndrueshmërisë institucionale dhe thellimit të marrëdhënieve të sigurisë me aleatët kryesorë të Kosovës.

Ai shton se vëmendja duhet përqendruar edhe në forcimin e sigurisë kibernetike dhe në krijimin e platformave dhe mekanizmave, për të shmangur, siç thotë, “rreziqet që vijnë nga shpërbërja e rendit ndërkombëtar, siç janë çrregullimet me tregti ndërkombëtare, energji, shëndetësi, mjedis, si dhe konflikte kulturore dhe fetare”.

Përvoja nga lufta në Ukrainë

Se si krizat globale mund të prekin drejtpërdrejt edhe vende të vogla dhe gjeografikisht të largëta si Kosova, u dëshmua qartë pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Kosova u përball menjëherë me shtrenjtimin e energjisë elektrike, rritjen e inflacionit dhe ngritjen e çmimeve të produkteve bazë – pasoja këto të drejtpërdrejta të krizës globale të furnizimit.

Me një ekonomi të mbështetur fuqishëm në importe dhe me kapacitete të kufizuara prodhuese, vendi kishte pak hapësirë për të zbutur efektet.

Qeveria ndërhyri me subvencione për kategori të caktuara të qytetarëve, por goditja ekonomike u ndje gjerësisht.

Kriza ekspozoi, gjithashtu, brishtësinë në fushën e sigurisë: Kosova, ende jashtë NATO-s, mbeti pa garanci të plota në një Evropë që po hynte në një fazë të re pasigurie.

Në këtë situatë, presidentja Vjosa Osmani kërkoi përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke paralajmëruar se mungesa e integrimit e lë vendin të pambrojtur ndaj ndikimeve ruse dhe tensioneve rajonale.

Sot, Kosova vazhdon të mbetet jashtë NATO-s, BE-së, Interpolit, Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera, dhe bllokimi i anëtarësimit lidhet kryesisht me mungesën e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Për rindezjen e motorit të integrimit në organizatat ndërkombëtare dhe përfitim nga avantazhet që ato ofrojnë, Kosovës do t’i duhet të adoptojë një qasje më proaktive dhe praktike, pa vonesë”, përfundon Shtuni. /REL

Rizvanolli mohon krizën: Kosova s’ka qenë kurrë në kolaps energjetik

0

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se nuk ka pasur asnjë moment kur KEK-u ka prodhuar zero megavat në orë, ose që Kosova në ndonjë moment ka qenë në kolaps energjetik.

Në një konferencë për media, ministrja në detyrë tha se kanë sfida në sektorin energjetik, sepse sipas Rizvanollit, siguria furnizimit varet nga termocentralet 62 e 42 vjeçare, sepse nuk janë bërë kurrë rehabilitime të tyre.

“Një arsye pse që nga prilli nuk i kemi në funksion të gjitha blloqet është sepse për herë të parë në termocentralin “Kosova B” po i modernizojmë turbinat dhe rrjedhimisht blloku B2 është jashtë funksionit për tu kryer këto operime për gati 6 muaj. Kjo është një sakrificë e përkohshme, por e domosdoshme, dhe duhet ta bëjmë tash, sepse nuk e kanë bërë me kohë kur çmimet e importit kanë qenë trefish më të lira. Po thuhet ndër të tjera që këto janë remonte të rregullta që po bëhen në termocentralin “Kosova B” e që janë bërë gjithmonë. Kjo nuk është e saktë. Këto po bëhen për herë të parë, janë bërë intervenime të vogla qindra tenderë që kanë kushtuar në total mbi 1 miliard euro, por kurrë nuk janë bërë rehabilitime e modernizime të tilla siç po i bëjmë tani”, tha në konferencë Rizvanolli.

Tutje, ajo tha se për herë të parë në termocentralin “Kosova B” po bëjnë modernizimin e turbinave, vendosjen e filterëve dhe një sërë investimesh përcjellëse që, sipas saj, do ta rrisin kapacitetin për 80 megavat dhe do ta ulin dukshëm ndotjen.

Mediat zvicerane i shqetëson takimi i Leon Avdullahut me Agim Ademin

0

Një fotografi e postuar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, me talentin e madh të futbollit zviceran, Leon Avdullahu, ka ngjallur reagime dhe interpretim të gjerë në mediat zvicerane, përfshirë edhe gazetën prestigjioze Blick.

Në një artikull të publikuar së fundmi, Blick analizon me ton kritik dhe kurioz momentin që duket si një paralajmërim i një marrëveshjeje të fshehtë. Në foto, Ademi shihet duke buzëqeshur dhe me dorën mbi supin e 21-vjeçarit, i cili sezonin e kaluar udhëhoqi FC Basel drejt dopietës në Zvicër dhe tani është transferuar te TSG Hoffenheim në Bundesliga.

Sipas Blick, Ademi duket sikur të kishte siguruar për Kosovën një nga talentët më premtues të futbollit zviceran. Megjithatë, gazeta kujton se vetëm pak muaj më parë, vetë Avdullahu kishte deklaruar se “nuk kishte marrë asnjë kontakt nga Kosova”.

Postimi i Ademit shoqërohej me përshkrimin: “Një kafe në Basel me yllin e futbollit Leon Avdullahu. Urime për titullin me FC Basel dhe për transferimin te TSG.” Kaq ka mjaftuar që Blick të ngrejë pyetjen: A po përgatit Kosova një ftesë zyrtare për Avdullahun?

Gazeta thekson se lojtari është lindur dhe rritur në kantonin Solothurn, ka luajtur për kombëtaret zvicerane që nga U15 dhe është një emër që gëzon respekt të madh në strukturat e Federatës Zvicerane të Futbollit. Madje, për Blick, është vetëm çështje kohe derisa të marrë thirrjen për përfaqësuesen A.

Policia në Gjakovë sekuestron 53 motoçikleta

0

Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në kuadër të DRP-Gjakovë ka sekuestruar 53 motoçikleta.

Përveç kësaj, gjatë periudhës 1 javore policia ka bërë të ditur se ka shqiptuar mbi 1 mijë e 29 gjoba për kundërvajtje të ndryshme dhe janë marrë si masë mbrojtëse 32 patentë shoferë për shkelje të rënda të rregullave të trafikut.

“Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë vazhdon angazhimin për rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve.

Për shkak të numrit të lartë të kundërvajtjeve dhe aksidenteve fatale me motoçiklistë, janë ndërmarrë masa të shtuara kontrolluese dhe ndëshkuese.Njesia e Motoçikletave gjatë periudhës 15–22 qershor 2025, kanë sekuestruar 53 motoçikleta për shkelje të tilla si:

Tejkalim i shpejtësisë së lejuar;

Mosvendosje e helmetës mbrojtëse;

Mungesë regjistrimi të mjetit;

Mospagim i detyrimeve doganore.

Përveç këtyre masave, gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 1,029 gjoba për kundërvajtje të ndryshme dhe janë marrë si masë mbrojtëse 32 patentë shoferë për shkelje të rënda të rregullave të trafikut”, thuhet në njoftimin e policisë në Facebook.

NATO i vë Serbisë kushte: Drejtësi për Banjskën dhe sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan

0

NATO-ja vazhdon të kërkojë nga autoritetet e Serbisë që të ndjekin penalisht të gjithë ata që janë përgjegjës për aktet e dhunës në Kosovë gjatë vitit 2023.

Kështu deklaroi një zyrtar i aleancës ushtarake perëndimore, një ditë para fillimit të samitit të NATO-s që mbahet në Hagë.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë të sigurojë që personat përgjegjës për dhunën e vitit 2023 të dalin përpara drejtësisë”, u shpreh zyrtari për gazetarët.

Ai përmendi sulmin ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, që ndodhi në maj 2023 para ndërtesës së komunës së Zveçanit, si dhe sulmin në fshatin Banjskë në shtator të të njëjtit vit.

Sipas zyrtarit, Ballkani Perëndimor mbetet një “rajon me rëndësi strategjike” për NATO-n dhe qëndron “lart në agjendën” e aleancës.

“Dekadat e paqes së fituar me vështirësi nuk duhet të rrezikohen. Stabiliteti në rajon varet nga vullneti i palëve për të zgjedhur dialogun dhe bashkëpunimin në vend të dhunës. NATO jep kontribut të rëndësishëm ushtarak, por rruga drejt paqes afatgjatë është politike”, theksoi ai.

Zyrtari përkujtoi se NATO mbështet paqen dhe stabilitetin në Ballkan që nga vitet 1990 dhe se përkushtimi i aleancës “mbetet i fuqishëm” dhe nuk do të lejojë krijimin e “vakumit të sigurisë”.

Ai konfirmoi përkrahjen e NATO-s për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si mekanizëm për zgjidhjen e çështjeve të hapura, me respektim të të drejtave të të gjitha komuniteteve.

“Jemi në kontakt të ngushtë me përfaqësuesin e ri special të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, dhe presim që të dyja palët të angazhohen me vullnet të mirë”, tha ai.

Ai shtoi se misioni i KFOR-it vazhdon të zbatojë mandatin e vet në mënyrë të paanshme dhe në çdo moment.

“Pas ngjarjeve të dhunshme të vitit 2023, kemi vendosur mbi 1.000 trupa shtesë në Kosovë dhe kemi rritur praninë e KFOR-it në veri. Ky ishte përforcimi më i madh i misionit në dhjetëvjeçarin e fundit”, deklaroi ai.

Samiti dyditor i NATO-s fillon nesër në Hagë dhe pritet që udhëheqësit e 32 vendeve anëtare të arrijnë marrëveshje për rritje të ndjeshme të investimeve në mbrojtje, shtim të prodhimit industrial në sektorin e mbrojtjes dhe për të konfirmuar mbështetjen afatgjatë për Ukrainën.

Presidenti amerikan Donald Trump, për të cilin besohet se do të qëndrojë vetëm shkurtimisht në samit, ka kërkuar nga aleatët që të bien dakord për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje në pesë për qind të bruto produktit të brendshëm.

Lista Votuese drejt përditësimit – KQZ nis procesin më 3 korrik

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare të Votuesve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, do të fillojë më 3 korrik dhe do të përfundojë më 31 gusht 2025.

Sipas KQZ-së, gjatë kësaj periudhe 60 ditore, çdo person me të drejtë vote që nuk figuron në Listën Votuese, është caktuar gabimisht në qendër tjetër të votimit apo ka të dhëna të tjera të pasakta, mund të kërkojë nga KQZ rishikimin e saj:

  1. përmes platformës elektronike: https://qv.kqz-ks.org/sq, ose
  2. duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe votuesi mund ta kundërshtojë pasaktësinë e Listës Preliminare të Votuese edhe për ndonjë emër të votuesit për të cilin pretendon se nuk duhet të figurojë në këtë listë, përfshirë edhe rastet kur në këtë listë figuron emri i ndonjë personi të vdekur.

Në këtë rast, ankesa duhet të parashtrohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Për të kundërshtuar pasaktësitë për Listën Preliminare të Votuesve, votuesi duhet të identifikohet me njërin nga tri dokumentet: Letërnjoftim i vlefshëm; pasaportë e vlefshme; leje e vozitjes e vlefshme.

ASK-ja publikon statistikat e tregtisë së jashtme për maj, bie eksporti e rritet importi

0

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin maj 2025.

Sipas ASK-së deficit tregtar është më i lartë për 21,5% në muajin maj 2025, krahasuar me muajin maj të vitit 2024.

“Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 21,5% në muajin maj 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 523,4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 430,6 milionë euro në vitin 2024”, thuhet në njoftim.

Eksporti mbulon importin me vetëm 13,5%.

Sipas ASK-së eksporti i mallrave në muajin maj 2025 kishte vlerën 81,4 milionë euro, ndërsa importi 604,7 milionë euro, që thuhet se është një rënie prej (-0,5%) për eksport, si dhe një rritje prej 17,1% për import, duke e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit 24,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 14,7% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 13,1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, 9,9% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, pijet dhe duhani, 8,2% e përbëjnë tekstili dhe artikujt nga tekstili.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 13,0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 12,6% e përbëjnë mjetet e transportit, 12,3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 11,0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 9,9% e përbëjnë produktet minerale.

Sipas ASK-së eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 29 milionë euro, ose rreth 35,6% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 2,3%.

“Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,5%), Italia (3,5), Holanda (3,1%), etj.”, thuhet në njoftim.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 265,1 milionë euro, ose 43,8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13,0%.

“Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,6%), Italia (5,1%), Polonia (5,1%), etj.”, thuhet në njoftim.

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 34,5 milionë euro, ose 42,5% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-13,0%).

“Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (14,8%), Shqipëria (13,6%), Mali i Zi (6,5%), Serbia (6,1%)”, thuhet në njoftim.

Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 69,6 milionë euro, ose 11,5% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 3,3%.

“Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (3,7%), Serbia (3,4%), Shqipëria (3,3%)”, thuhet në njoftim.

Sipas ASK-së eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 17,9 milionë euro, ose 21,9%.

“Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (11,3%) dhe Turqia (4,1%)”, thuhet në njoftim.

Sipas ASK-së importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 270 milionë euro, ose 44,6%.

“Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14,4%) dhe Kina (12,1%)”, thuhet në njoftim.

Sherifi i Nisma-s: Në zgjedhje lokale garojmë të vetëm, pa AAK-në

0

Në zgjedhjet e 9 shkurtit garuan së bashkë në një listë zgjedhore mirëpo pas përfundimit të procesit zgjedhor Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma ndanë rrugët.

E kjo ndarje do të vazhdojë edhe në garën për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 12 tetor.

Kjo është konfirmuar për Indeksonline, nga sekretari i Nismës Bilall Sherifi.

Sherifi ka bërë të ditur se partia Nisma Social Demokrate në zgjedhjet e 12 tetorit do të garojë e vetme.

Ndërsa kur është pyetur se kush mund të jetë kandidati i Nismës për të parin e Prishtinës, Sherifi është shprehur se tash është ende herët për të folur lidhur me këtë çështje.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë ka bërë publike shumicën e emrave të kandidatëve për kryetar komune.

Çmimet “ekstreme” të derivateve pritet të vendosen në Kosovë, litri i naftës rrezikon të bëhet 2 euro

0

Dje, parlamenti i Iranit ka marr vendim për mbylljen e ngushticës së Hormuzit, në të cilën kalon 20% i naftës botërore.

Ky vendim i tyre ka ardhur pas bombardimit amerikan të tre centraleve bërthamore në Iran.

Ngushtica e Hormuzit është një kalim i ngushtë midis Iranit dhe Omanit dhe është një arterie kritike për ekonominë globale. Kjo ngushticë lidh Gjirin Persik me Detin Arabik dhe Oqeanin Indian, duke lejuar transportimin e naftës nga portet në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin dhe Irakun në tregjet botërore.

Bllokada e Ngushticës së Hormuzit do të nënkuptonte ndërprerjen e furnizimeve me naftë kryesisht në Azi, Evropë dhe Amerikën e Veriut, gjë që do të shkaktonte një rritje të menjëhershme të çmimit të naftës (sipas disa vlerësimeve në mbi 100 dollarë për fuçi, dhe disa madje edhe 200).

Por, a do të ndikoj kjo në rritjen e çmimit të naftës apo mungesën e sasisë së naftës në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se qytetarët e Kosovës, janë aktualisht duke u shërbyer me çmimet e naftës më të lirat në regjion.

Ai ka thënë se këto çmime po rriten për shkak të luftës mes Izraelit e Iranit, shkruan lajmi.net.

“Kjo po shkakton frikë për ndërprerje të furnizimit duke ndikuar në rritjen e çmimeve. Irani prodhon një pjesë të madhe të naftës në botë dhe kontrollon ngushticën e Hormuzit, një pikë ku kalon afërsisht 20% e naftës botërore. Çdo eskalim i kësaj situate do të ndikoj më shumë në rritjen e naftës, ndërsa ndonjë marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga SHBA mund të qetësoj tregun e naftës. Çmimi i naftës në Kosovë sigurisht që ndikohet gjithashtu nga këto zhvillime gjeopolitike për shkak që Kosova importon pjesën me të madhe të naftës”, ka thënë Berjani për lajmi.net.

Ai ka treguar edhe çmimet aktuale të naftës në Kosovë dhe vendet e rajonit.

Çmimet aktuale në Kosovë:

Diesel: 1.22€-1.32€

Benzine: 1.21€-1.31€

Çmimet aktuale në Shqipëri:

Dizelli 1.91 cent

Benzina 1.94 cent

Çmimet aktuale në Serbi:

Dizelli 1.81 cent

Benzina 1.84cent

Çmimet aktuale në Mal të Zi:

Dizelli 1.51cent

Benzina 1.54 cent

Çmimet aktuale në Bosne:

Dizelli 1.48 cent

Benzina 1.49 cent

Cmimet aktuale në Maqedoni:

Dizelli 1.18 cent

Benzina 1.22cent

Berjani ka thënë gjithashtu se Kosova për nga çmimi i naftës renditet e dyta më e ulëta pas Maqedonisë së Veriut pasi që ata kanë akcizë më të ulët se Kosova.

Ai gjithashtu ka alarmuar se pas sulmit të SHBA-së ndaj Iranit, ka gjasa që çmimet e derivateve të rriten në mënyrë ekstreme dhe ka gjasa që të ketë një krizë globale.

Rritja ekstreme e çmimit të naftës do të rris problemet ekonomike në vend pasi që përveç saj çdo gjë tjetër ka pësuar ngritje të çmimit, duke filluar nga rryma e produktet ushqimore.

Qytetarët janë shprehur në vazhdimësi të shqetësuar në rast se mund të ketë një rritje të çmimit të naftës.

Policia u uron mirëseardhje bashkatdhetarëve, u bën apel për kujdes në trafik

0

Policia e Kosovës ka publikuar një njoftim mirëseardhjeje për bashkatdhetarët që po kthehen në vend gjatë sezonit veror, duke apeluar për kujdes dhe respektim të rregullave në trafik.

“Bashkatdhetarë të dashur, mirë se erdhët në vendin tuaj!”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë. “Për sigurinë tuaj dhe të familjes suaj, respektoni rregullat në trafik”, vijon apeli.

Policia thekson disa prej çështjeve kyçe që ndihmojnë në parandalimin e aksidenteve:
🛑 Shpejtësia e kontrolluar,
🎗️ Përdorimi i rripit të sigurisë,
📵 Mosshfrytëzimi i telefonit gjatë vozitjes.