spot_img
E diel, 26 Prill, 2026
12:11
Home Blog Page 987

NATO i vë Serbisë kushte: Drejtësi për Banjskën dhe sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan

0

NATO-ja vazhdon të kërkojë nga autoritetet e Serbisë që të ndjekin penalisht të gjithë ata që janë përgjegjës për aktet e dhunës në Kosovë gjatë vitit 2023.

Kështu deklaroi një zyrtar i aleancës ushtarake perëndimore, një ditë para fillimit të samitit të NATO-s që mbahet në Hagë.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë të sigurojë që personat përgjegjës për dhunën e vitit 2023 të dalin përpara drejtësisë”, u shpreh zyrtari për gazetarët.

Ai përmendi sulmin ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, që ndodhi në maj 2023 para ndërtesës së komunës së Zveçanit, si dhe sulmin në fshatin Banjskë në shtator të të njëjtit vit.

Sipas zyrtarit, Ballkani Perëndimor mbetet një “rajon me rëndësi strategjike” për NATO-n dhe qëndron “lart në agjendën” e aleancës.

“Dekadat e paqes së fituar me vështirësi nuk duhet të rrezikohen. Stabiliteti në rajon varet nga vullneti i palëve për të zgjedhur dialogun dhe bashkëpunimin në vend të dhunës. NATO jep kontribut të rëndësishëm ushtarak, por rruga drejt paqes afatgjatë është politike”, theksoi ai.

Zyrtari përkujtoi se NATO mbështet paqen dhe stabilitetin në Ballkan që nga vitet 1990 dhe se përkushtimi i aleancës “mbetet i fuqishëm” dhe nuk do të lejojë krijimin e “vakumit të sigurisë”.

Ai konfirmoi përkrahjen e NATO-s për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si mekanizëm për zgjidhjen e çështjeve të hapura, me respektim të të drejtave të të gjitha komuniteteve.

“Jemi në kontakt të ngushtë me përfaqësuesin e ri special të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, dhe presim që të dyja palët të angazhohen me vullnet të mirë”, tha ai.

Ai shtoi se misioni i KFOR-it vazhdon të zbatojë mandatin e vet në mënyrë të paanshme dhe në çdo moment.

“Pas ngjarjeve të dhunshme të vitit 2023, kemi vendosur mbi 1.000 trupa shtesë në Kosovë dhe kemi rritur praninë e KFOR-it në veri. Ky ishte përforcimi më i madh i misionit në dhjetëvjeçarin e fundit”, deklaroi ai.

Samiti dyditor i NATO-s fillon nesër në Hagë dhe pritet që udhëheqësit e 32 vendeve anëtare të arrijnë marrëveshje për rritje të ndjeshme të investimeve në mbrojtje, shtim të prodhimit industrial në sektorin e mbrojtjes dhe për të konfirmuar mbështetjen afatgjatë për Ukrainën.

Presidenti amerikan Donald Trump, për të cilin besohet se do të qëndrojë vetëm shkurtimisht në samit, ka kërkuar nga aleatët që të bien dakord për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje në pesë për qind të bruto produktit të brendshëm.

Lista Votuese drejt përditësimit – KQZ nis procesin më 3 korrik

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare të Votuesve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, do të fillojë më 3 korrik dhe do të përfundojë më 31 gusht 2025.

Sipas KQZ-së, gjatë kësaj periudhe 60 ditore, çdo person me të drejtë vote që nuk figuron në Listën Votuese, është caktuar gabimisht në qendër tjetër të votimit apo ka të dhëna të tjera të pasakta, mund të kërkojë nga KQZ rishikimin e saj:

  1. përmes platformës elektronike: https://qv.kqz-ks.org/sq, ose
  2. duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe votuesi mund ta kundërshtojë pasaktësinë e Listës Preliminare të Votuese edhe për ndonjë emër të votuesit për të cilin pretendon se nuk duhet të figurojë në këtë listë, përfshirë edhe rastet kur në këtë listë figuron emri i ndonjë personi të vdekur.

Në këtë rast, ankesa duhet të parashtrohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Për të kundërshtuar pasaktësitë për Listën Preliminare të Votuesve, votuesi duhet të identifikohet me njërin nga tri dokumentet: Letërnjoftim i vlefshëm; pasaportë e vlefshme; leje e vozitjes e vlefshme.

ASK-ja publikon statistikat e tregtisë së jashtme për maj, bie eksporti e rritet importi

0

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin maj 2025.

Sipas ASK-së deficit tregtar është më i lartë për 21,5% në muajin maj 2025, krahasuar me muajin maj të vitit 2024.

“Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 21,5% në muajin maj 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 523,4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 430,6 milionë euro në vitin 2024”, thuhet në njoftim.

Eksporti mbulon importin me vetëm 13,5%.

Sipas ASK-së eksporti i mallrave në muajin maj 2025 kishte vlerën 81,4 milionë euro, ndërsa importi 604,7 milionë euro, që thuhet se është një rënie prej (-0,5%) për eksport, si dhe një rritje prej 17,1% për import, duke e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit 24,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 14,7% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 13,1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, 9,9% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, pijet dhe duhani, 8,2% e përbëjnë tekstili dhe artikujt nga tekstili.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 13,0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 12,6% e përbëjnë mjetet e transportit, 12,3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 11,0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 9,9% e përbëjnë produktet minerale.

Sipas ASK-së eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 29 milionë euro, ose rreth 35,6% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 2,3%.

“Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,5%), Italia (3,5), Holanda (3,1%), etj.”, thuhet në njoftim.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 265,1 milionë euro, ose 43,8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13,0%.

“Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,6%), Italia (5,1%), Polonia (5,1%), etj.”, thuhet në njoftim.

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 34,5 milionë euro, ose 42,5% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-13,0%).

“Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (14,8%), Shqipëria (13,6%), Mali i Zi (6,5%), Serbia (6,1%)”, thuhet në njoftim.

Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 69,6 milionë euro, ose 11,5% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 3,3%.

“Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (3,7%), Serbia (3,4%), Shqipëria (3,3%)”, thuhet në njoftim.

Sipas ASK-së eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 17,9 milionë euro, ose 21,9%.

“Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (11,3%) dhe Turqia (4,1%)”, thuhet në njoftim.

Sipas ASK-së importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 270 milionë euro, ose 44,6%.

“Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14,4%) dhe Kina (12,1%)”, thuhet në njoftim.

Sherifi i Nisma-s: Në zgjedhje lokale garojmë të vetëm, pa AAK-në

0

Në zgjedhjet e 9 shkurtit garuan së bashkë në një listë zgjedhore mirëpo pas përfundimit të procesit zgjedhor Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma ndanë rrugët.

E kjo ndarje do të vazhdojë edhe në garën për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 12 tetor.

Kjo është konfirmuar për Indeksonline, nga sekretari i Nismës Bilall Sherifi.

Sherifi ka bërë të ditur se partia Nisma Social Demokrate në zgjedhjet e 12 tetorit do të garojë e vetme.

Ndërsa kur është pyetur se kush mund të jetë kandidati i Nismës për të parin e Prishtinës, Sherifi është shprehur se tash është ende herët për të folur lidhur me këtë çështje.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë ka bërë publike shumicën e emrave të kandidatëve për kryetar komune.

Çmimet “ekstreme” të derivateve pritet të vendosen në Kosovë, litri i naftës rrezikon të bëhet 2 euro

0

Dje, parlamenti i Iranit ka marr vendim për mbylljen e ngushticës së Hormuzit, në të cilën kalon 20% i naftës botërore.

Ky vendim i tyre ka ardhur pas bombardimit amerikan të tre centraleve bërthamore në Iran.

Ngushtica e Hormuzit është një kalim i ngushtë midis Iranit dhe Omanit dhe është një arterie kritike për ekonominë globale. Kjo ngushticë lidh Gjirin Persik me Detin Arabik dhe Oqeanin Indian, duke lejuar transportimin e naftës nga portet në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin dhe Irakun në tregjet botërore.

Bllokada e Ngushticës së Hormuzit do të nënkuptonte ndërprerjen e furnizimeve me naftë kryesisht në Azi, Evropë dhe Amerikën e Veriut, gjë që do të shkaktonte një rritje të menjëhershme të çmimit të naftës (sipas disa vlerësimeve në mbi 100 dollarë për fuçi, dhe disa madje edhe 200).

Por, a do të ndikoj kjo në rritjen e çmimit të naftës apo mungesën e sasisë së naftës në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se qytetarët e Kosovës, janë aktualisht duke u shërbyer me çmimet e naftës më të lirat në regjion.

Ai ka thënë se këto çmime po rriten për shkak të luftës mes Izraelit e Iranit, shkruan lajmi.net.

“Kjo po shkakton frikë për ndërprerje të furnizimit duke ndikuar në rritjen e çmimeve. Irani prodhon një pjesë të madhe të naftës në botë dhe kontrollon ngushticën e Hormuzit, një pikë ku kalon afërsisht 20% e naftës botërore. Çdo eskalim i kësaj situate do të ndikoj më shumë në rritjen e naftës, ndërsa ndonjë marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga SHBA mund të qetësoj tregun e naftës. Çmimi i naftës në Kosovë sigurisht që ndikohet gjithashtu nga këto zhvillime gjeopolitike për shkak që Kosova importon pjesën me të madhe të naftës”, ka thënë Berjani për lajmi.net.

Ai ka treguar edhe çmimet aktuale të naftës në Kosovë dhe vendet e rajonit.

Çmimet aktuale në Kosovë:

Diesel: 1.22€-1.32€

Benzine: 1.21€-1.31€

Çmimet aktuale në Shqipëri:

Dizelli 1.91 cent

Benzina 1.94 cent

Çmimet aktuale në Serbi:

Dizelli 1.81 cent

Benzina 1.84cent

Çmimet aktuale në Mal të Zi:

Dizelli 1.51cent

Benzina 1.54 cent

Çmimet aktuale në Bosne:

Dizelli 1.48 cent

Benzina 1.49 cent

Cmimet aktuale në Maqedoni:

Dizelli 1.18 cent

Benzina 1.22cent

Berjani ka thënë gjithashtu se Kosova për nga çmimi i naftës renditet e dyta më e ulëta pas Maqedonisë së Veriut pasi që ata kanë akcizë më të ulët se Kosova.

Ai gjithashtu ka alarmuar se pas sulmit të SHBA-së ndaj Iranit, ka gjasa që çmimet e derivateve të rriten në mënyrë ekstreme dhe ka gjasa që të ketë një krizë globale.

Rritja ekstreme e çmimit të naftës do të rris problemet ekonomike në vend pasi që përveç saj çdo gjë tjetër ka pësuar ngritje të çmimit, duke filluar nga rryma e produktet ushqimore.

Qytetarët janë shprehur në vazhdimësi të shqetësuar në rast se mund të ketë një rritje të çmimit të naftës.

Policia u uron mirëseardhje bashkatdhetarëve, u bën apel për kujdes në trafik

0

Policia e Kosovës ka publikuar një njoftim mirëseardhjeje për bashkatdhetarët që po kthehen në vend gjatë sezonit veror, duke apeluar për kujdes dhe respektim të rregullave në trafik.

“Bashkatdhetarë të dashur, mirë se erdhët në vendin tuaj!”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë. “Për sigurinë tuaj dhe të familjes suaj, respektoni rregullat në trafik”, vijon apeli.

Policia thekson disa prej çështjeve kyçe që ndihmojnë në parandalimin e aksidenteve:
🛑 Shpejtësia e kontrolluar,
🎗️ Përdorimi i rripit të sigurisë,
📵 Mosshfrytëzimi i telefonit gjatë vozitjes.

Hidhen poshtë pretendimet e Thaçit: Rasti për administrimin e drejtësisë s’duhej iniciuar nga trupi gjykues

0

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë rrëzuar mocionin e mbrojtjes së ish-Presidentit Hashim Thaçi, me të cilin pretendohej se rasti kundër administrimit të drejtësisë ishte dashur që të iniciohet nga trupi gjykues në rastin për krime lufte.

Vendimi është marrë më 19 qershor 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, e cila rrëzoi edhe pretendimin e Thaçit se caktimi i saj në këtë çështje ishte bërë në kundërshtim me Ligjin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas kronologjisë së procedurave, më 29 nëntor 2024, ishte konfirmuar pjesërisht aktakuza ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Më 12 shkurt 2025, Prokuroria kishte bërë ankesë kundër aktakuzës së konfirmuar dhe më 3 prill Gjykata e Apelit vendosi që çështja t’i kthehet gjyqtares së procedurës paraprake për rishqyrtim.

Më 14 prill 2025, gjyqtarja  procedurës paraprake e ndryshoi vendimin në përputhje me vendimin e Apelit dhe dy ditë më pas e dorëzo atë.  Kurse, më 8 maj 2025, mbrojtja e Thaçit kishte dorëzuar mocionin e saj lidhur me këtë çështje.

Në mocionin e saj, mbrojtja e Thaçit ka kontestuar kompetencat e gjyqtares së procedurës paraprake për të shqyrtuar rastin aktual të tij.

Sipas mbrojtjes, këto procedura si kjo e rishqyrtimit dhe konfirmimit të aktakuzës bien në juridiksionin e trupit gjykues në rastin për krime lufte nga i cili e ka origjinën edhe kjo çështje.

Po ashtu, Thaçi pretendon se gjyqtarja e procedurës paraprake në këtë çështje është caktuar në kundërshtim me ligjin pasi më përpara kishte vepruar si gjyqtare e vetme gjatë hetimit për veprat që pretendohet se i ka kryer Thaçi dhe të tjerët.

Mbrojtja thotë se trupi gjykues në çështjen për krime lufte ka detyrim që gjykimi të jetë i drejtë, i shpejtë dhe që procedurat të zhvillohen duke i respektuar të drejtat e të akuzuarve.

Ata thonë se trupi gjykues nuk mund ta përmbush këtë detyrim nëse një panel tjetër është ngarkuar me çështje që kanë të bëjnë me menaxhimin e çështjes së tij.

Mbrojtja pretendon se trupi gjykues në çështjen për krime lufte duhet të ketë kompetencë dhe përgjegjësi ekskluzive mbi të gjitha aspektet, duke përfshirë edhe pretendimet për mosrespektim të gjykatës dhe ndërhyrje tek dëshmitarët.

“…prandaj ishte detyrë e Panelit gjyqësor II që të mbikëqyrte hetimin lidhur me veprat e pretenduara në çështjen aktuale, të përcaktonte nëse ato justifikonin një aktakuzë dhe një çështje të veçantë, dhe të vendoste nëse një Panel tjetër duhej të ngarkohej”, thuhet në vendimin i cili citon parashtrimet e mbrojtjes.

Mbrojtja gjithashtu pretendon se procedurat aktuale kanë minuar autoritetin e trupit gjykues në rastin për krime lufte për të garantuar gjykim të drejtë në atë çështje.

“Trupi gjykues është privuar nga mundësia për të parandaluar dhe trajtuar pretendimet për ndërhyrje te dëshmitarët; (ii) çdo vendim që do të merret nga Trupi gjykues II mbi dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët e Çështjes 06 – për të cilat ZPS pretendon se janë të ndikuara – rrezikon të shkelë prezumimin e pafajësisë së Z. Thaçi dhe të paragjykojë rezultatin e çështjes aktuale; (iii) aftësia, koha dhe mjetet në dispozicion të Z. Thaçi për përgatitjen e mbrojtjes në Çështjen 06 janë ndikuar ndjeshëm nga procedurat aktuale; dhe (iv) Trupi gjykues II nuk mund të garantojë të drejtat e Z. Thaçit si i paraburgosur, meqë ai tashmë i nënshtrohet një regjimi të ndarë paraburgimi në kuadër të procedurave aktuale”, citohet të këtë parashtruar mbrojtja e Thaçit.

Mbrojtja e Thaçit ka argumentuar gjithashtu se gjyqtarja e vetme mund të veprojë vetëm atëherë kur nuk është ngarkuar ndonjë trupi gjykues për të menaxhuar pretendimet për ndërhyrje në çështjen për krime lufte. Sipas tyre, në këtë rast ishte një trup gjykues i caktuar lidhur me këtë çështje.

“Kryetarja e Dhomave i dha Gjykatësit të Vetëm një mandat “të përhershëm” mbi çështjet hetimore, rol i cili nuk parashikohet nga Ligji apo Rregullorja, të cilat përkundrazi parashikojnë që çdo caktim duhet të jetë i përkohshëm; dhe (iii) Kryetarja caktoi si Gjykatës të Procedurës Paraprake në të gjitha çështjet të njëjtët dy gjyqtarë që më parë kishin vepruar si Gjykatës të Vetëm, në kundërshtim me nenin 33 (1) (a) dhe (4) të Ligjit, i cili parashikon se një gjyqtar nuk mund të caktohet në role të njëpasnjëshme brenda të njëjtës çështje”, citohet të ketë parashtruar mbrojtja e Thaçit.

Si rrjedhojë, mbrojtja e Thaçit ka thënë se aktakuza e ndryshuar është e pavlefshme dhe duhet të hudhet poshtë për shkak të mungesës së juridiksionit, duke u mbështetur në faktin se është vepruar jashtë kompetencave.

Kurse, Prokuroria është përgjigjur se ky mocion duhet të hudhet poshtë në tërësi pasi që nuk ka bazë ligjore dhe ngre çështje të papranueshme.

Prokuroria pretendon se argumentet e Thaçit për kompetencat e trupit gjykues në çështjen për krime lufte bien ndesh me Ligjin dhe Rregulloren.

Sipas tyre, autoriteti për të kryer hetime dhe ngritur aktakuza i takon vetëm ZPS-së dhe se mbrojtja e Thaçit është duke e shpërfillë ligjin e zbatueshëm para DhSK-së, duke u përpjekur të sjellë rregulla të përdorura nga gjykata të tjera.

“…kompetencat e Trupit gjykues II për të menaxhuar procedurat në Çështjen 06 nuk shtrihen në procedura të tjera që përfshijnë akuza të ndryshme dhe të akuzuar të ndryshëm; (vi) neni 33(5) i Ligjit e ndalon në mënyrë eksplicite përfshirjen e gjyqtarëve të Trupit gjykues II në ndonjë procedurë penale që rrjedh nga shkeljet e nenit 15(2) të Ligjit; dhe (vii) pohimet e Mbrojtjes së Thaçit se Trupi gjykues II është penguar në zbatimin e masave ndaj shkeljeve të urdhrave të tij, se autoriteti i tij është minuar ose anashkaluar, dhe se nuk mund më të garantojë një gjykim të drejtë në Çështjen 06, janë të pabazuara”, citohet të ketë parashtruar Prokuroria.

Prokuroria gjithashtu pretendon se fakti që emërimi i gjyqtarit të vetëm u bë për mandat të përhershëm, është i gabuar, i pambështetur dhe i pasaktë.

“…nëse Mbrojtja e Thaçit dëshironte të kundërshtonte caktimin e Gjykatësit të Vetëm dhe po ashtu si Gjykatës të Procedurës Paraprake, duhej të kishte paraqitur një kërkesë për përjashtim sipas Rregullës 20 të Rregullores, përpara Kryetarit; (v) caktimi i Gjykatësit të Procedurës Paraprake është në përputhje me nenin 33(4) të Ligjit; dhe (vi) nuk ka arsye parimore për të ndarë Gjykatësin e Procedurës Paraprake nga çështjet mbi të cilat ka vendosur si Gjykatës i Vetëm”, thuhet në vendimin i cili citon Prokurorinë.

Në vendimin e saj, gjyqtarja e procedurës paraprake ka thënë se ngritja e një aktakuze dhe nisja e procedurave kundër një personi është e drejtë ekskluzive e Prokurorisë dhe i nënshtrohet vetëm mbikëqyrjes se gjyqtarit të procedurës paraprake për konfirmim ose jo të akuzave.

Sipas saj, asnjë ligj apo rregullore nuk i jep trupit gjykues kompetencën për të udhëzuar Prokurorinë që t’i drejtohet  gjyqtares së procedurës paraprake me një aktakuzë të re.

Ajo thotë se ndonëse veprat e pretenduara në këtë rast janë procedura që lidhen me çështjen për krime lufte, kjo nuk do të thotë se ky rast dhe ai për krime lufte janë raste të njëjta. Sipas saj, të dy çështjet përfshijnë persona të ndryshëm, vepra  të ndryshme dhe një periudhë kohore të ndryshme.

“Përgjegjësia e Trupit gjykues për të siguruar drejtësinë e procedurës dhe të drejtat e të akuzuarit gjithashtu nuk i jep atij të drejtën për të vendosur nëse do të ndiqen apo jo penalisht veprat kundër administrimit të drejtësisë – të cilat përfshijnë katër persona të tjerë që nuk janë të akuzuar në Çështjen 06. Po të ishte kështu, gjyqtarët e gjykimit do të vepronin në thelb mbi një çështje të nenit 15(2) që rrjedh nga procedurat para tyre, në kundërshtim me nenin 33(5) të Ligjit”, thuhet në vendim.

Gjyqtarja e procedurës paraprake Masselot ka thënë se nuk është bindës argumenti i mbrojtjes së Thaçit se trupi gjykues nuk është në gjendje që të garantojë të drejtat e tij për një gjykim të drejtë dhe se këto të drejta tashmë janë cenuar.

Këtë konstatim, gjyqtarja Masselot e ka mbështetur në faktin se ndonëse ajo është ngarkuar në këtë çështje, kjo nuk ndikon në aftësinë e trupit gjykues për të garantuar të drejtat e Thaçit për gjykim të drejtë në rastin për krime lufte. Ajo thotë, se trupi gjykues në çështjen për krime lufte ka kontroll të plotë mbi procedurat e atij rasti.

Po ashtu, gjyqtarja Masselot thotë se është spekulim nga ana e mbrojtjes së Thaçit se gjetjet e trupit gjykues në rastin për krime lufte do ta bëjnë të pavlefshme çështjen aktuale. Ajo thotë se vendimi mbi akuzat në të dy çështjet është i ndryshëm dhe se panelet i zhvillon procedurat e tyre në mënyrë të pavarur.

Ndërsa, për pretendimin e dytë të Thaçit lidhur me emërimin e gjyqtares së procedurës paraprake, Masselot thotë se kjo bie në fushëveprimin e Rregullës 20 të Rregullores mbi “Përjashtimin ose Shkarkimin e Gjyqtarëve”.

Masselot thotë se në pozitën e gjyqtares së vetme ishte caktuar për të shqyrtuar kërkesat për autorizim gjyqësor dhe çështje që ndërlidhen me paraqitjet e Prokurorisë para ngritjes së aktakuzës. Ndërsa, në rolin e gjyqtares së procedurës paraprake, ajo thotë se ka kompetencë vetëm ta shqyrtojë aktakuzën dhe ta përgatis çështjen për gjykim.

“Pretendimet e Mbrojtjes janë gjithashtu kontradiktore dhe të pabesueshme kur argumentojnë se paanshmëria e Gjykatësit të Procedurës Paraprake është cenuar nga përfshirja e saj në çështjet hetimore si Gjykatës i Vetëm, ndërkohë që paanshmëria e gjyqtarëve të Trupit gjykues II nuk është”, thuhet në vendim.

Si rrjedhojë, të dy pikat e ngritura nga Thaçi u hodhën poshtë.

Ndryshe, Hashim Thaçi dhe Fadil Fazliu janë ankuar për mangësi në aktakuzë në këtë çështja. Ndërsa, Thaçi ka kërkuar që t’i veçohet procedura në këtë rast deri sa të përfundojnë procedurat në rastin e tij për krime lufte.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Ndërsa, lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Me 12 shkurt 2025, Prokuroria kishte bërë ankesë kundër aktakuzës së konfirmuar dhe me 3 prill 2025 Gjykata e Apelit vendosi që çështja të i kthehet gjyqtares së procedurës paraprake për rishqyrtim.

Me 14 prill 2025, gjyqtarja  procedurës paraprake e ndryshoi vendimin në përputhje me vendimin e Apelit dhe dy ditë më pas e dorëzo atë. Thaçit iu shtua përgjegjësia për ‘nxitje’.

Haxhiu reagon ndaj pyetjes së gazetares: A je gjyqtare, a je prokurore?

0

Kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas dështimit të 36-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, u pyet në lidhje me seancën gjyqësore për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

“Nuk akuzohem për sulm ndaj Kuvendit, ne akuzohemi për 10 vjet për mbajtje në pronësi të gazit lotsjellës”, tha ajo.

Haxhiu reagoi ndaj pyetjes së gazetares.

“A je gjyqtare, a je prokurore? Të lutem para se të më bëni pyetje të tilla, së pari të merrni informacionet e pastaj të më pyesni”, tha ajo.

Petrit Hajdari i PDK-së e sfidon Ramiz Lladrovcin, kandidon për kryetar të Drenasit

0

Petrit Hajdari i PDK-së, një nga kandidatët më të votuar për deputet nga Drenasi, në zgjedhjet e fundit parlamentare, ka njoftuar se do të kandidojë për kryetar të kësaj komune.

Ai i ka bërë thirrje kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, që ta mbështesë kandidaturën e tij.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Hajdari thotë se Drenasi ka nevojë për unitet, përbashkim dhe një lidership që i bashkon të gjitha energjitë e elektoratit tonë për një të ardhme më të mirë.

Më tej, ai shton se ky vendim ka qenë një prej vendimeve më të natyrshme që ka marrë, pasi buron nga qytetari, kërkesat, nevojat dhe sfidat e tij.

“Kryetari i rizgjedhur Memli Krasniqi, kryesia e PDK-së në të cilën jam anëtar dhe Këshilli Drejtues i Partisë e dinë fare mirë që pavarësisht pozitës e llojit të zgjedhjeve ku kam marrë pjesë, për mua prioriteti numër një dhe i patjetërsueshëm ka qenë qytetari i Drenasit tim”, thuhet mes tjerash në postimin e Hajdarit.

Njoftimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Komunës së Drenasit,

Ju keni folur, unë ju kam dëgjuar: PO, DO TË KANDIDOJ PËR KRYETAR KOMUNE.

Rrugëtimit tim politik me Partinë Demokratike të Kosovës, të nisur me strukturat rinore dhe me vizionin e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, po ia shtoj një kapitull të ri. Ky kapitull buron drejtpërdrejt nga kërkesa e madhe qytetare, nga dialogjet e panumërta me secilin prej jush dhe nga vota e fuqishme, masive dhe e papërsëritshme që mora në Drenas më 9 shkurt.

Kam vendosur, duke u bazuar në rregulloren e miratuar me vendim nga Këshilli Drejtues, pika 4 e vendimit, ta deponoj kandidaturën për kryetar të Komunës së Drenasit.

Drenasi ka nevojë për unitet, përbashkim dhe një lidership që i bashkon të gjitha energjitë e elektoratit tonë për një të ardhme më të mirë.

Ndaj bindjen e fortë që hallin e qytetarit të Drenasit, nuk e kam veç unë por e ka edhe PDK-ja jonë. Prandaj, me dashamirësi ndaj projektit tonë të përbashkët, i bëj thirrje përulësisht e me respekt të thellë kryesisë dhe kryetarit të PDK-së që ta konfirmojnë kandidimin tim.

Ky vendim ka qenë një prej vendimeve më të natyrshme që kam marrë, pasi buron nga qytetari, kërkesat, nevojat dhe sfidat e tij. Kryetari i rizgjedhur Memli Krasniqi, kryesia e PDK-së në të cilën jam anëtar dhe Këshilli Drejtues i Partisë e dinë fare mirë që pavarësisht pozitës e llojit të zgjedhjeve ku kam marrë pjesë, për mua prioriteti numër një dhe i patjetërsueshëm ka qenë qytetari i Drenasit tim.

Për këtë komunë do të angazhohem me çdo pjesë të qenies sime, sepse unë besoj që veç shërbimi i jep kuptim të qenit në politikë.

Kësaj komune mund t’i japim më shumë e më mirë.

Ju falenderoj përzemërsisht të gjithë juve që duke ma dhënë besimin më keni mbushur shpresë për qytetin tonë të bukur.

Jam jashtëzakonisht i nderuar të jem me ju dhe pranë jush, në kërkesën fisnike për ta bërë Drenasin tonë një komunë ku jetohet me dinjitet.

Bashkë, do t’ia dalim. Bashkë, ka kuptim.

Fshihet tregtia e energjisë nga raporti zyrtar – Dogana po fsheh të dhënat – ku është transparenca?

0

Aktivistja e politikave të energjisë, Janina Ymeri, ka publikuar një reagim të ashpër ndaj Doganës së Kosovës, duke e akuzuar për fshehje të të dhënave lidhur me importin e energjisë elektrike për periudhën janar-maj 2025.

Në një postim në Facebook, ajo ka bërë të ditur se Dogana e Kosovës ka hequr tërësisht të dhënat dhe raportimin për tregtinë e energjisë nga publikimi më i fundit zyrtar “Open Data”, që përfshin periudhën janar-maj 2025.

“Energjia elektrike po importohet, por të dhënat po fshihen. E kam thënë disa herë në emisione – importi i energjisë në Kosovë është shumë i lartë, çdo ditë mbi 1 milion euro. Sot të dhënat zyrtare të Doganës për periudhën janar-maj 2025 nuk shfaqin asnjë import të deklaruar si energji elektrike. As edhe një. Kjo është e pamundur”, thekson ajo.

Ajo ngrit pyetjen nëse institucioni është vënë në shërbim të fshehjes së së vërtetës.

“Dogana e Kosovës, a ju thanë hiqni importin e rrymës mos ta kuptojë populli sa pare ju marrim? A ju thanë hiqni kodin 2716 edhe u tha u bë?”, pyeti ajo.

Duke e krahasuar situatën me një skenar orwellian, Ymeri përmend partinë në pushtet.

“Vëllau i Madh vëzhgon apo jo, Big Brother aka VV: Ata po na dëgjojnë, po na shikojnë, por ndërkohë po i fshehin të dhënat”.

Sipas saj, fshirja e të dhënave nuk është vetëm çështje teknike, por një goditje e drejtpërdrejtë ndaj transparencës dhe të drejtës qytetare për t’u informuar për mënyrën se si shpenzohen paratë publike.

“Po luajnë me transparencën, me faturat tona, me të drejtën tonë për ta ditur sa paguajmë e kujt po i shkojnë ato miliona.”

Ajo thekson se pushteti nuk qëndron në parti politike që vijnë e shkojnë, por në institucione që duhet të jenë profesionale dhe të pavarura.

Aktualisht, Dogana e Kosovës nuk ka dhënë asnjë sqarim publik për heqjen e të dhënave mbi importin e energjisë në raportin “Open Data” për pesëmujorin e parë të vitit 2025.