spot_img
E mërkurë, 6 Maj, 2026
18:47
Home Blog Page 991

Gjykata Supreme kufizon fuqinë e gjyqtarëve për të bllokuar urdhrat e Trump

0

Gjykata Supreme e SHBA-së lëshoi ​​një vendim që kufizon fuqitë e gjyqtarëve për të bllokuar urdhrat e Presidentit Donald Trump në të gjithë vendin.

Çështja rrjedh nga urdhri i Trump për t’i dhënë fund të drejtës kushtetuese të shtetësisë me të drejtë lindjeje për fëmijët e emigrantëve pa dokumente.

Kjo do të lejojë që urdhri i Trump për shtetësinë në bazë të lindjes të hyjë pjesërisht në fuqi brenda 30 ditësh – pasi gjyqtarët në gjykatat e ulëta e kishin bllokuar atë.

Në një takim të gjatë me median, Trump e quajti vendimin një “vendim të madh dhe të mrekullueshëm”.

Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi thotë se ky vendim do t’i japë fund “gjyqtarëve mashtrues” që lëshojnë urdhra kundër axhendës së presidentit.

Në një kundërshtim të ashpër ndaj vendimit kishte gjyqtarja Sonia Sotomayor, i cila tha se kjo është një “ftesë e hapur për qeverinë që të anashkalojë Kushtetutën”.

Ky vendim nuk trajtoi drejtpërdrejt kushtetutshmërinë e urdhrit të Trump për shtetësinë sipas të drejtës së lindjes – kështu që çështja ka të ngjarë të përfundojë para gjykatës së lartë në një datë të mëvonshme.

LVV-ja zyrtarizon kandidatin për kryetar të Vitisë

0

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zyrtarizuar Arsim Ademin si kandidat për kryetar të Komunës së Vitisë për zgjedhjet lokale.

Në një tubim me strukturat lokale dhe përfaqësues të lartë të partisë, përfshirë Kryeministrin në detyrë Albin Kurti, u konfirmua mbështetja për kandidaturën e Ademit, i cili aktualisht është zëvendësministër në MAShTI.

Sipas LVV-së, Ademi “përfaqëson një alternativë të denjë për ndryshim dhe zhvillim në nivel lokal, duke u bazuar në përvojën e tij institucionale në nivel qendror”.

Zyrtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës shpëtojnë jetën e një gruaj…

0

Zyrtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës shpëtojnë jetën e një gruaje në rrugën Vushtrri-Mitrovicë


Një akt heroik është shënuar sot përgjatë magjistrales Vushtrri-Mitrovicë, ku zyrtarët policorë nga Drejtoria e Njësive Speciale Intervenuese kanë shpëtuar jetën e një gruaje.

Sipas njoftimit zyrtar, zyrtarët policorë kanë hasur një person të gjinisë femërore të shtrirë në tokë, në gjendje të alivanosur. Ata janë ndalur menjëherë dhe i kanë ofruar ndihmën e parë.

Reagimi i shpejtë dhe profesional ka bërë që gruaja të përmirësojë gjendjen shëndetësore dhe të mbahet nën kujdesin e zyrtarëve deri në mbërritjen e ekipit të ambulancës.

Ky intervenim thekson përkushtimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës në mbrojtjen e qytetarëve dhe efikasitetin e lartë operacional të trupave të saj. Profesionalizmi i treguar është fryt i trajnimeve të avancuara, përfshirë ato të realizuara në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Policia e Kosovës vazhdon të dëshmojë përkushtim të palëkundur ndaj sigurisë publike, duke qenë e gatshme të reagojë në çdo moment për të shpëtuar jetë.

Një urim i veçantë për Rexhep Qosjen nga Ben Blushi

0

Me rastin e 89-vjetorit të lindjes së akademikut të njohur Rexhep Qosja, shkrimtari dhe publicisti Ben Blushi ka ndarë një rrëfim personal mbi vizitën që i bëri së fundmi në Prishtinë.

Me nota reflektimi, kujtimi dhe urimi, Blushi përshkruan takimin me një nga figurat më të rëndësishme të mendimit dhe letrave shqipe.

Gjatë bisedës të dy folën për bashkimin kombëtar, për letërsinë, për Fishtën dhe Konicën, për kujtimet e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972, dhe për portretin e Qoses të vizatuar nga gjyshi i Blushit atë vit në Tiranë.

Nga Ben Blushi

NJË URIM PËR REXHEP QOSEN

Disa ditë më parë shkova të vizitoj Rexhep Qosen.

Kalova disa rrethrrotullime derisa arrita te lagja Kodra e Diellit në Prishtinë.

Me google maps nuk do ta kisha gjetur dot shtëpinë sepse ky aplikacion të le gjithmonë në baltë kur nisesh për punë të mira.

Për fat një shofer që jetonte në atë lagje, më coi deri te shtëpia.

Valjeti, nipi me tatuazhe i Rexhep Qoses, hapi derën, hoqa këpucët dhe hyra në një dhomë me piktura të thjeshta.

Rexhep Qosja ishte më mirë se ç’e prisja.

I vëmendshëm, me kujtesë të freskët, elegant, i kursyer, me një zë kumbues dhe i drejtë si shkëmb.

Lëvizte ngadalë, por shikonte mirë.

Pjesën më të madhe të kohës tani e kalon si një alpinist, duke u ngjitur dhe zbritur nga kati i parë në katin e dytë të shtëpisë.

Mu kujtua hera e parë e parë që e kam takuar, ndoshta në vitin 1992, ku e intervistova në dhomën e tij në katin e dhjetë të pesëmbëdhjetëkatëshit.

Që aty dukej gjithë Tirana.

Ishte hera e parë që unë hyja në një nga dhomat e atij hoteli që dikur e kisha patur përballë shtëpisë ku kisha lindur.

Rexhep Qosja nuk e mbante mend.

I kujtohej një rast tjetër kur ishim takuar në Tiranë, por këtë herë nuk e mbaja mend unë.

Në mijëra kujtime që mban shtëpia e Rexhep Qoses, përfshi libra dhe piktura, objekti më i vlefshëm është makina e tij e shkrimit.

Ajo makinë është jeta e tij, kali i fitoreve dhe i luftërave që ka bërë.

Fëmijëve të sotshëm ajo vjetërsirë çeliku me dhëmbë të nxjerra jashtë, që bëjnë një zhurmë oficine do t’u dukej si një ndryshkje pa funksion.

Unë vetë jam rritur me atë trokëllimë prej kalldrëmi metalik, që ma nxirrte gjumin, sa herë babai dhe gjyshi shtypnin librat e tyre me shumë faqe.

Për herë të parë kam shkruar me një makinë si ajo, por ndoshta pak me të vogël.

Makina e shkrimit e Rexhep Qoses është shumë malore, në krahasim me makinat kodrinore dhe fushore që unë kam patur në shtëpi.

50 vjet më parë mjekët i kishin thënë se ajo egërsirë do t’tia thyente shpinën, por kjo nuk ka ndodhur.

Ai shtyp akoma duke e zbutur çelikun me gishta dhe trupi nuk i kërruset.

Kam përshtypjen çdo natë e vadit makinën si një bahçe, sepse sendet që prodhojnë lule kërkojnë ujë.

Kur e pyeta se pse kosovarët nuk e duan më bashkimin me Shqipërinë më tha se vetëm disa akademikë të Kosovës janë kundër.

Megjithatë një ditë do të ndodhë patjetër, sepse Evropa nuk mund të mbajë dy shtete me shqiptarë.

Por këtë ma tha kur ishim në katin e parë.

Në studion e katit të dytë, Rexhep Qosja nuk flet për politikë, por vetëm për letërsi.

Pasi recitoi Gjergj Fishtën për mua, më qerasi me një ëmbëlsirë.

Fishta është shumë i thellë thashë unë, po shqipen më të bukur e ka Faik Konica që ishte një zevzek.

Rexhep Qosja nuk e dinte fjalën zevzek. Kërkoi ndihmë te nipi po as ai nuk e dinte.

Grindavec, thashë unë. Po, tha, Faik Konica ka qenë pak grindavec.

Mes shumë portreteve në muret e shtëpisë se Rexhep Qoses, është edhe një skicë që i ka bërë gjyshi im, kur ka qenë i ri.

Në nëntor të vitit 1972.

Me rastin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe kur Rexhep Qosja erdhi në Tiranë si përfaqsues i Kosovës.

Në atë profil të vizatuar me stilolaps, duket një burrë me mjekërr shumë të zezë, të stilizuar me kujdes, flokë te rregullt që tani i mungojnë, një vështrim të mprehtë dhe syze me skelet të trashë.

Nëse ai portret do ishte varur mbi kalin metalik të makinës së shkrimit, Rexhep Qosja do dukej si një aktor filmash ëestern.

Nuk e pyeta se si e kishin lejuar të hynte në Shqipëri me atë mjekërr revizioniste, por që atëherë ai e shkruan shqipen sipas standartit të Kongresit të Drejtshkrimit.

Me shqipen e vitit 1972 Rexhep Qosja ka mbajtur gjallë pishtarin e rezistencës kosovare, heronjtë e të cilës janë plakur më ngadalë se vetë rezistenca.

Sapo kam hyrë në vitin e nëntëdhjetë, më tha Rexhep Qosja kur më përcolli.

Meqë sot mbush 89 vjeç po e uroj nga Tirana.

Rexhep Qosja ka jetuar si një shkëmb, uroj të plaket si një mal.

Shqipëria përballet me valën e tërmeteve brenda pak ditësh

0

Shqipëria është tronditur nga tre tërmete në harkun kohor të vetëm pesë ditëve, duke shkaktuar shqetësim tek banorët, sidomos në Tiranë dhe zonat përreth. Fatmirësisht, nuk raportohet për dëme në njerëz apo materiale.

Tërmeti i parë ndodhi tre ditë më parë, mëngjesin e së martës, rreth orës 05:05, me magnitudë 4.4. Epiqendra u raportua 16 km në veriperëndim të Tiranës, pranë Krujës, në një thellësi të vogël, çka bëri që lëkundjet të ndiheshin qartë në kryeqytet dhe më gjerë.

Dy tërmetet më të fundit ndodhën mëngjesin e së premtes, me dy lëkundje të njëpasnjëshme:

-I pari me magnitudë 4.2

-I dyti me magnitudë 3.8

Sipas Qendrës Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC), epiqendra e këtyre dy tërmeteve ishte në zonën e Fushë-Krujës, në një thellësi prej vetëm 5 km, duke bërë që të ndihen ndjeshëm në Tiranë, Durrës dhe zonat përreth.

Institucionet sizmologjike vijojnë të monitorojnë situatën, ndërsa ekspertët theksojnë se këto janë lëkundje normale për rajonin tonë, që ndodhet në një zonë me aktivitet sizmik të moderuar.

SBASHK u bën thirrje mësimdhënësve: Mos nënshkruani kontratat e reja, presioni shkelje e Kodit të Punës

0

SBASHK përmes një komunikate për media ka njoftuar se u ka bërë apel tek mësimdhënësit e arsimit parauniveristar që të mos i nënshkruajnë kontratat e reja të punës.

Në komunikatë thuhet se kërkesa për nënshkrimin e kontratave të reja të punës, është rishfaqur në komunën e Vushtrrisë.

Në reagimin e SBASHK thuhet se versioni kontratës së re, është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 10/2015, i cili është në fuqi dhe se ka më pak të drejta të precizuara.

SBASHK apelon te mësimdhënësit e Arsimit Parauniversitar: Mos nënshkruani kontrata të reja të punës

Ditët e fundit, në komunën e Vushtrrisë është rishfaqur kërkesa për nënshkrimin e kontratave të reja të punës, pavarësisht se mësimdhënësit e Arsimit Parauniversitar tashmë kanë kontrata pune me afat të pacaktuar. Versioni i Kontratës së re është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 10/2015 ,që është në fuqi dhe ka më pak të drejta të precizuara, krahasuar me Kontratat që kanë punëtorët e Arsimit Parauniversitar’’, thuhet në komunikatë.

Më tej, SBASHK-u i ka bërë thirrje edhe komunës së Vushtrrisë që të ndalë ‘‘këtë praktikë të gabuar’’ si dhe ‘’presionin’’ ndaj mësimdhënësve.

‘‘SBASHK kërkon nga komuna e Vushtrrisë që menjëherë të ndalë këtë praktikë të gabuar dhe presionin ndaj mësimdhënësve, si dhe u bën thirrje të gjitha komunave tjera që të mos ndjekin këtë shembull të dëmshëm, i cili bie ndesh me të drejtat e garantuara të punëtorëve’’, thuhet në reagim.

Tutje, thuhet çdo formë e presionit për nënshkrim kontrate të pafavorshme përbën shkelje të Kodit të Punës

‘‘Njëkohësisht, apelojmë te të gjithë anëtarët tanë, që kanë kontrata me afat të pacaktuar, të mos nënshkruajnë këto versione të reja të kontratave, edhe në rast se ndihen të presionuar nga punëdhënësit. Kujtojmë se çdo formë presioni për nënshkrim kontrate të pafavorshme përbën shkelje të Kodit të Punës (Ligji Nr. 03/L-212), e cila mund të sjellë pasoja ligjore për punëdhënësin. Çdo rast i tillë mund dhe duhet të raportohen në SBASHK për trajtim institucional’’, thuhet në komunikatë.

Tragjedi në Vlorë: Turist i huaj humb jetën në det

0

Një turist i huaj raportohet të jetë mbytur pak momente më parë në plazhin e Zvërnecit në Vlorë.

Sipas burimeve për A2 CNN, bëhet me dije se dyshohet se turisti është në moshë të madhe dhe se ai ka humbur jetën menjëherë sapo është futur në det.

Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Betohen 350 rekrutë të rinj të FSK-së

0

Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se janë betuar 350 rekrutë të rinj të FSK-së.

Në njoftim bëhet e ditur edhe se ceremonia ka filluar me raportimin para Komandantit të FSK, Bashkim Jashari, si akt simbolik i nisjes së një faze të re në jetën ushtarake të të rinjve që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut me nder dhe përkushtim.

Njoftimi i plotë:

Betohen 350 rekrutë të rinj të FSK-së

Me një ceremoni ushtarake bënë betimin  350 rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët nga sot do të shërbejnë në radhët e  Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas trajnimit nëntë javorë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes.

Ceremonia  filloi me raportimin para Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si akt simbolik i nisjes së një faze të re në jetën ushtarake të të rinjve që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut me nder dhe përkushtim.

Në praninë e udhëheqësve ushtarakë dhe civilë, përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, rekrutët e rinj dhanë betimin solemn për shërbim ndaj vendit, duke shprehur gatishmërinë e tyre për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

TKOB prezanton për herë të parë kryeveprën romantike të Schubertit

0

Një nga kryeveprat më të ndjera të periudhës së romantizmit vjen për herë të parë në skenën shqiptare.

Këtë fundjavë publiku artdashës do të mund të ndjekë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, shfaqjen “Mullixhesha e Bukur” (Die schöne Müllerin) të kompozitorit austriak Franc Shubert (Franz Schubert).

“Mullixhesha e Bukur” është një cikël këngësh nga Shuberti, i kompozuar në vitin 1823, bazuar në 20 poezi të Vilhelm Myler (Wilhelm Müller).

Shfaqja shpalos një histori dashurie të pafat, me një thellësi emocionale që prek çdo shpirt. Cikli tregon historinë e një nxënësi të ri të mullirit, i cili bie në dashuri me vajzën e mullixhiut, dashuri e cila do të ketë fund tragjik. Shpresa, xhelozia dhe dëshpërimi ndërthuren në një cikël liedesh me poezitë e Vilhelm Mylerit, që sjellin një tregim të ndjerë poetik, nga baritoni Artur Vera dhe pianistja Etrita Ibrahimi.

Koncerti do të shfaqet ditën e shtunë, në ora 20:00, në Hollin Koncertor të TKOB-së. /atsh

Aktakuzë kundër një personi për krime lufte në Gjakovë

0

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur një aktakuzë për krime lufte kundër të pandehurit D.R, për veprimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, konkretisht në qytetin e Gjakovës në periudhën 7–10 maj 1999.

Ai akuzohet për përfshirje në një sulm të gjerë dhe të organizuar të forcave serbe ndaj popullsisë civile shqiptare.

Sipas Prokurorisë, D.R ka vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke marrë pjesë në vrasjen e tre civilëve shqiptarë, të cilët më pas janë keqtrajtuar fizikisht. Po ashtu, ai akuzohet për dëbimin e dhunshëm të civilëve shqiptarë nga shtëpitë e tyre, plaçkitjen dhe shkatërrimin e pronës private në disa lagje të qytetit të Gjakovës.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit D. R, për veprën penale “Krim i Luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar sipas nenit 142 të Ligjit Penal të RSFJ-së, në fuqi gjatë kohës së kryerjes së veprës penale.

Hetimet vërtetuan se gjatë periudhës 7–10 maj 1999, në qytetin e Gjakovës, i pandehuri ka marrë pjesë në sulm të gjerë dhe të organizuar të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullsisë civile shqiptare, duke vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë.

D.R akuzohet për vrasjen e tre civilëve shqiptarë, të cilët më pas janë keqtrajtuar fizikisht, për dëbim të dhunshëm të popullsisë civile shqiptare nga lagjet e tyre, plaçkitje dhe shkatërrim të shtëpive në disa lagje të qytetit të Gjakovës.

Aktakuza bazohet në dëshmi të viktimave dhe dëshmitarëve okularë, në identifikimin e të pandehurit përmes fotografive, raporte të Institutit të Mjekësisë Ligjore, si dhe prova të tjera materiale të mbledhura gjatë hetimeve.

I pandehuri ndodhet aktualisht nën masën e paraburgimit, ndërsa Prokuroria Speciale ka propozuar vazhdimin e paraburgimit, për shkak të rrezikut të arratisjes.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës rithekson angazhimin dhe përkushtimin për të zbardhur të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, për të sjellë drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre, dhe për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe demokratike”, thuhet në njoftim.