spot_img
E premte, 24 Prill, 2026
16:28
HomeKosovaKurti paralajmëron zgjedhje të “njëpasnjëshme” nëse s’arrihet marrëveshje domosdo për president

Kurti paralajmëron zgjedhje të “njëpasnjëshme” nëse s’arrihet marrëveshje domosdo për president

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar të mërkurën se Kosova do të detyrohet të mbajë zgjedhje të “njëpasnjëshme” parlamentare, nëse partitë parlamentare nuk arrijë pajtueshmëri për zgjedhjen e presidentit të vendit, kur kanë mbetur më pak se një javë nga mbarimi i afatit kushtetues për këtë çështje.

Kurti, i cili është njëherësh edhe kryetar i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, tha për gazetarë se zgjedhjet e reja gjithashtu do t’i kushtonin vendit me humbje në vlerë dhjetëra milionë euro.

- Advertisement -

“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja, nuk do të kemi zgjidhje, meqenëse sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja. Unë nuk e di se si mund t’i kemi 80 deputetë, prandaj është e domosdoshme të merremi vesh”, tha Kurti pas një ngjarjeje për përurimin e Klinikës së Kardiologjisë në Prishtinë.

Belgzim Kamberi nga Instituti joqeveritar për Politika Sociale “Musine Kokalari”, në Prishtinë, i tha Radios Evropa e Lirë se kjo deklaratë e Kurtit është “popullizëm”, por edhe se nga këndvështrimi i një gare politike duhet të shihet si “trysni” ndaj opozitës.

- Advertisement -

“Jemi gjithnjë e më shumë në fazën e ndërtimit të narrativeve parazgjedhore dhe në ketë drejtim kemi hyrë në këtë retorikë se kush do të perceptohet si përgjegjës për shkuarje në zgjedhje. Nëse e shihni, të gjitha palët, partitë kryesore, kanë prirje për ta akuzuar njëri-tjetrin për shkuarje në zgjedhje”, tha Kamberi.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon më 28 prill dhe nëse deri atëherë nuk zgjidhet një president, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Deklaratat e Kurtit vijnë dy ditë pasi dështuan bisedimet mes tij dhe liderëve të dy partive kryesore opozitare, Bedri Hamzës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila ka 22 ulëse, dhe Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që mban 15 ulëse.

Gjatë bisedimeve të hënën në Prishtinë, Kurti i kishte ofruar LDK-së së Abdixhikut postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri Ministri të tjera të paspecifikuara.

Në një ofertë tjetër, Kurti i kishte ofruar LDK-së postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Që të dyja këto oferta u hodhën poshtë nga Abdixhiku.

Ndërkohë, në të njëjtën ditë, pas dështimit të marrëveshjes me Abdixhikun, kreu i PDK-së Bedri Hamza e hodhi poshtë si “joserioze” ofertën e Kurtit që partia e tij ta ketë kryeparlamentarin në një ujdi me LVV-në.

Abdixhiku tha se nuk do të takohej më me Kurtin, ndërsa Hamza e quajti të “përfunduar” kontributin e partisë së tij për çështjen e presidentit.

Nuk është e qartë se si Kurti mund t’i bindë ata të rikthehen në tryezën e bisedimeve para se të soset afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Në komentet e tij të mërkurën, Kurti nuk shpjegoi nëse do t’i kontaktojë sërish ata.

Ndërkohë, pasi Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit dhe vendi nuk arriti ta emërojë zëvendësuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit më 4 prill.

Përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri të vendin dështuan pasi asnjëra palë nuk u duk e gatshëm të bëjë lëshime.

Kamberi: Futja e Osmanit në garë, mundësi për opozitën

Sipas Kamberit, i vetmi element i ri në një proces të ri zgjedhor do të ishte përfshirja e ish-presidentes Vjosa Osmani në garë, e cila mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve, mbase duke pamundësuar fitore të thellë të partisë së Kurtit.

“Kjo do të mundë të shihej si mundësi për opozitën e sotme për ta ndryshuar rezultatin apo së paku për t’ia pamundësuar LVV-së për ta pasur vetë shumicën e thjeshtë, kjo mbetet të shihet”, tha Kamberi.

Osmani nuk ka treguar zyrtarisht nëse do të garonte në zgjedhjet e mundshme parlamentare, por ajo ka takuar qytetarë të ndryshëm vazhdimisht pothuajse në të gjitha pjesët e vendit qëkurse u bë e ditur se ajo nuk gëzonte mbështetjen e ligjvënësve për një mandat të tyre si presidente në mars.

Edhe ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me të dhe në vend flitet për një rikthim të saj.

Nëse Osmani hyn në një listë me LDK-në, gara do të jetë shumë më serioze, sipas Kamberit.

“Në një situatë ku LVV-ja nuk do ta kishte komoditetin t’i themelojë e vetme Qeverinë dhe Kuvendin, do të hapeshin bisedimet për të gjitha institucionet kryesore: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën”, theksoi Kamberi.

Kamberi përfundoi se partitë kryesore duhet ta pranojnë se njëra e vetme nuk duket të mendojë t’i udhëheqë të gjitha tri institucionet në një sistem siç është ky i Kosovës, përndryshe kriza nuk do të marrë fund. /REL

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat