Kryetarja e Komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e RTK-së, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se është përmbyllur me sukses procesi i intervistimit të kandidatëve, pas një pune intensive disa javore në kuadër të Komisionit.
Sipas Nagavcit, procesi është karakterizuar nga përkushtim dhe seriozitet i lartë nga deputetët anëtarë të Komisionit, si dhe nga mbështetje profesionale e zyrtarëve të Kuvendit, me synimin që përzgjedhja të jetë transparente, e drejtë dhe e bazuar në meritë.
Ajo ka falënderuar të gjithë të përfshirët për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë këtij procesi.
Kryetarja ka shprehur mirënjohje edhe për kandidatët që aplikuan dhe morën pjesë në intervista, duke vlerësuar nivelin e lartë të përgatitjes, performancës dhe përvojës së shumicës prej tyre.
“Lista e kandidatëve tashmë i është përcjellë për shqyrtim Kryesisë së Kuvendit, ndërsa pritet që procesi të vazhdojë me shqyrtim dhe vendimmarrje në seancë plenare”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ajo ka theksuar rëndësinë e kompletimit sa më të shpejtë të Bordit të RTK-së, duke rikujtuar se institucioni ka qenë jofunksional për rreth dy vite.
Në fund, është shprehur besimi se Bordi i ri do të përbëhet nga profesionistë të denjë, në shërbim të interesit publik.



