Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Nagavci bëri të ditur se kryeministri Albin Kurti po vazhdon angazhimet e tij intensive për të siguruar mbështetjen e nevojshme, ndërsa shprehu optimizëm se në ditët në vijim do të arrihet një zgjidhje konkrete.
“Kurti po vazhdon angazhimet e tij dhe besoj që në ditët e mbetura të arrijmë një pajtueshmëri dhe një mbështetje, gjegjësisht propozime konkrete, për të gjetur zgjidhje për zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Nagavci para mediave.
Shmangia e zgjedhjeve të reja Sipas saj, jo vetëm deputetët e shumicës parlamentare, por edhe qytetarët presin që ky proces të përmbylllet me sukses brenda Kuvendit, duke shmangur kështu mundësinë e një cikli të ri zgjedhor.
“Pres dhe besoj që qytetarët presin që të gjejmë një zgjidhje, propozime konkrete dhe të votohet presidenti në Kuvend. E kemi thënë disa herë: një palë zgjedhje të reja janë të panevojshme dhe të padrejta”, shtoi ajo.
Ky reagim vjen në një kohë kur afatet kushtetuese po ngushtohen, ndërsa partitë politike po mbajnë konsultime të vazhdueshme për të siguruar kuorumin dhe votat e mjaftueshme për postin e kreut të shtetit.



