Prokurori Naim Abazi ka dhënë sot fjalën përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Gjatë seancës, Abazi theksoi se sulmi i 24 shtatorit 2023 nuk ishte një rast i izoluar, por një organizim i mirëfilltë kriminal me përgatitje të gjatë. Sipas prokurorit, ky grup kishte objektiva të qarta politike dhe ushtarake përmes metodave terroriste.
“Ky grup ka vepruar me qëllim terrorist dhe me synim cenimin e rendit kushtetues e sigurisë së Republikës së Kosovës”, deklaroi Abazi para trupit gjykues.
Përgatitjet dhe provat video Prokuroria argumentoi se organizimet e këtij grupi kriminal datojnë shumë më herët se data e sulmit, duke dëshmuar një strukturë të qëndrueshme dhe të mirëfinancuar. Për të mbështetur këto pretendime, prokurori Abazi paraqiti edhe prova të reja vizuale.
Fjala përfundimtare u shoqërua me sekuenca video ku shfaqen pjesëtarët e grupit kriminal gjatë aktiviteteve të tyre. Në mesin e tyre, shihet qartë edhe kryeterroristi serb, Millan Radoiçiq, i cili udhëhiqte operacionin në terren.
Ky proces gjyqësor konsiderohet si një nga më të rëndësishmit për drejtësinë në Kosovë, pasi synon të zbardhë të gjithë zinxhirin komandues dhe mbështetës të sulmit që tronditi sigurinë në veri të vendit dhe rajon.



