Seancat përfundimtare për një javë rresht, ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë kanë zgjuar kureshtje të jashtëzakonshme tek publiku.
Mbi 220 persona kanë paraqitur kërkesë për të qenë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit, në atë që pritet të sjellë epilogun e një procesi të gjatë.
Por, galeria publike e gjykatës ka kapacitet për 67 vende.
Në një përgjigje për T7, Gjykata Speciale ka konfirmuar se për shkak të numrit të kufizuar, përparësi u është dhënë disa kategorive.
“Gjykata ka pranuar mbi 220 kërkesa nga persona që dëshirojnë të ndjekin seancat nga galeria e publikut. Meqenëse galeria e publikut ka vetëm 67 vende, përparësi u është dhënë anëtarëve të familjes së të akuzuarve, Ambasadës së Kosovës, si dhe mediave, veçanërisht atyre nga Kosova ose rajoni”, ka deklaruar Angela Griep për T7.
Procesin e zhvilluar deri më tash në Dhomat e Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, avokati Artan Qerkini e konsideron të shoqëruar me shkelje të shumta.
Qerkini si i akredituar nga Gjykata, shpjegon hapat që pritet të merren pas përfundimit të fjalëve përfundimtare në këtë proces.
Gjykata Speciale ka sqaruar përmes email-it se konfirmimet për pjesëmarrje kanë nisur të dërgohen nga e mërkura, më 4 shkurt, ndërsa procedura mbetet ende në vazhdim.



