Kryetari i ri i Aleancës është zgjedhur Ardian Gjini, pas votimit të zhvilluar në kuadër të punimeve të Kuvendit të X-të Zgjedhor të partisë.
Sipas komunikatës së Aleancës, pas përmbylljes së pjesës solemne të Kuvendit, delegatët votuan për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, ku nga 461 delegatë sa morën pjesë në procesin zgjedhor, 453 votuan për Gjinin, 2 kundër, 1 abstenoi, ndërsa 5 vota rezultuan të pavlefshme.
Në vijim të punimeve, delegatët aprovuan edhe ndryshimet statutare, përfshirë ndryshimin e emrit të partisë nga “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës” në “Aleanca”.
Po ashtu, Kuvendi zgjodhi edhe Kryetarin e Nderit të partisë, ku këtë post do ta mbajë Ramush Haradinaj, si dhe u miratua përbërja e Këshillit të Nderit.
Postimi i plotë:
Gjatë punimeve të Kuvendit të X-të Zgjedhor të Aleancës, pas përmbylljes së pjesës solemne, delegatët votuan për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, Ardian Gjini, ku nga 461 delegatë, 453 votuan për, 2 kundër, 1 abstenoi dhe 5 vota ishin të pavlefshme.
Në vijim, delegatët e Kuvendit aprovuan ndryshimet statutare, përfshirë ndryshimin e emrit të partisë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në “Aleanca”, zgjedhjen e Kryetarit të Nderit, z. Ramush Haradinaj, si dhe Këshillin e Nderit.
Po ashtu, u zgjodh edhe Këshilli i Përgjithshëm, me përbërje prej 106 anëtarësh. Përbërjes së Këshillit të Përgjithshëm do t’i shtohet edhe Kryesia e re pas konstituimit, si dhe 3 përfaqësues nga diaspora që kanë marrë më së shumti vota në Kuvend.
Me sot, Aleanca e përmbyll me sukses procesin e brendshëm zgjedhor, i nisur më 12 shkurt.
Ky proces dëshmoi organizimin, unitetin dhe përkushtimin e strukturave tona në çdo nivel.
Falënderojmë të gjitha strukturat, delegatët dhe anëtarët që dhanë kontributin e tyre gjatë këtij procesi..
Suksese kryetarit të ri, Ardian Gjini, dhe të gjithë të zgjedhurve në përgjegjësitë e reja, në shërbim të forcimit të Aleancës dhe angazhimit për Kosovën.



